Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, deklaroi se i ka shpëtuar një atentati gjatë një fluturimi me helikopter. Gjatë një mbledhjeje të transmetuar drejtpërdrejt të kabinetit, Petro iu referua një ngjarjeje të ndodhur të hënën në mbrëmje, kur helikopteri i tij nuk mundi të ulej në destinacionin e planifikuar për shkak të frikës se persona të armatosur “do të qëllonin” ndaj tij.
Ai ndodhej në provincën Kordoba për të inspektuar zonat e përmbytura pas reshjeve të dendura të shiut. Petro njoftoi gjithashtu se ka urdhëruar daljen në pension të një gjenerali të policisë, të cilin e akuzon se ka tentuar të “sabotojë” takimin e tij me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 3 shkurt.
Që nga marrja e detyrës në vitin 2022, Petro ka denoncuar vazhdimisht komplotet e grupeve kriminale dhe të trafikut të drogës kundër tij, ndërsa sipas mediave, edhe Administrata Amerikane kundër Drogës (DEA) e ka paralajmëruar për rreziqe të mundshme. (A2 Televizion)