
Avokati i Evis Berberi komentoi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, foton e publikuar nga deputeti demokrat Gazmend Bardhi, ku ish-kreu i ARRSH-së, shihet në shoqërinë e disa funksionarëve të tjerë publik, në një ambient privat.
Gentjan Rumano deklaroi se ajo çfarë Bardhi shkruan për foton në fjalë, është pjesërisht e vërtetë, por publikimi i saj sipas avokatit përbën cënim të privatësisë së subjekteve në të.
Ai gjithashtu konfirmoi se ka dyshime që fotoja ka përfunduar në duart e Gazment Bardhit, pasi është nxjerrë nga telefonat e Berberit, të cilët mbahen të sekuestruar nga SPAK e GJKKO.
“Për momentin nuk e kemi informacionin e plotë nëse është pjesë e dosjes hetimore. Ne dimë që të gjithë telefonat e zotit Berberi janë të sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme dhe kjo foto kemi dyshime se mund të ketë dalë nga telefonat e konfiskuar. Kjo foto nuk ka qarkulluar asnjëherë në rrjetet sociale, është e pamundur dhe informacioni që është përhapur nga deputeti i PD, është pjesërisht i pavërtetë. Pasi nuk kemi të bëjmë me apartamentin nr.6, shkalla H, kompleksi Nobis. Sepse dihet që arkitektura e ambientit ku është realizuar foto, është një arkitekturë jo më e zbatueshme nga arkitektët që realizojnë ndërtime në këtë kohë. Është arkitekturë e vjetër italiane. Është një ambient me lartësi mbi 4, apo 5 metër dhe vetëm dritarja që ndodhet pas shpinës së tyre është një derë më e lartë se 3 apo 3 metër e gjysmë. Rrethana që nuk ekzistojnë më në ndërtimet e sotme. Kjo nuk është bërë absolutisht në apartament. Padyshim që është një ambient privat”, tha Rumano në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Ndërkohë gazetari Lavdrim Lita ndërhyri duke thënë se fotoja “është bërë te Pallati i Brigadave”. “Është një event në 2019 i DPSHTRR-së. I bini larg e larg thoni jo ambient publik, jo po italian. Nuk është një gjë sekrete kjo që ju e bëni misterioze”, u shpreh gazetari në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.
Më tej, avokati i Berberit i mëshoi sërish dyshimit të palës mbrojtëse se fotoja ka rrjedhur nga ambientet e SPAK dhe GJKKO dhe publikimi i saj nga Bardhi ka për synim dëmtimin e imazhit të ish-kreut të ARRSH-së.
“Fotoja që është publikuar është një foto që ka të bëjë tërësisht me ambient privat dhe jo me funksione publike. Dhe si e tillë duhet të konsiderohet si cenim i privatësisë të çdo subjekti, jo vetëm të të përfaqësuarit prej meje, por edhe të personave që janë pjesë e fotos. Atëherë dyshimi kryesor është që të gjithë telefonat e zotit Berberi janë të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme. Zoti Berberi është në kushtet e ndalimit dhe nuk është në kushtet për të përhapur apo patur informacion të detajuar për këto rrethana. Duke qenë se fotot janë në duart e prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm që kjo foto të jet3ë nxjerrë pikërisht nga këto telefona dhe më pas ti jetë vënë në dispozicion dhe zotit Bardhi. Nuk duam të dyshojmë lidhur me integritetin e Prokurorisë apo oficerëve të policisë gjyqësore por nga ana jonë do të kërkohet hetim. Do të ishte e ndershme që ky hetim të niste nga ana e Prokurorisë nëse ajo foto gjendet në telefonat e zotit Berberi. Nëse kjo foto është pjesë e të dhënave në telefonat që i janë sekuestruar zotit Berberi, përbën të dhënë hetimore dhe ato nuk përhapen kështu që do ishte përhapje e paautorizuar e informacioneve hetimore. Kjo shërben për të dëmtuar hetimin dhe për të ndikuar mbi hetimin dhe gjykimin. Ajo që ne dyshojmë duke qenë se ka një përhapje të zgjeruar të informacionit në fazën e gjykimit ku ndodhet zoti Berberi, ne e konsiderojmë si një ushtrim të ndikimit karshi GJKKO dhe SPAK”, deklaroi Rumano në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)
