Ka nisur në El Salvador një gjyq masiv ndaj 486 të dyshuarve si anëtarë të bandës MS-13, me fokus 86 vrasjet e kryera gjatë fundjavës më të përgjakshme të marsit 2022. Ky proces konsiderohet një moment kyç në strategjinë e sigurisë së presidentit Nayib Bukele, raporton CNN.
Të pandehurit po gjykohen në një procedurë masive, shumica përmes videokonferencës nga burgu i sigurisë së lartë CECOT. Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për mbi 47 mijë krime, përfshirë vrasje, zhdukje, trafik droge dhe armësh. Një pjesë e tyre rrezikojnë dënime deri në 245 vite burg, përcjell A2.
Ngjarjet që çuan në këtë proces ndodhën mes 25-27 marsit 2022, kur vendi përjetoi mbi 80 vrasje në vetëm tri ditë, duke e bërë atë periudhën më të dhunshme që nga lufta civile. Pas kësaj, qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, e cila vazhdon ende dhe ka çuar në dhjetëra mijëra arrestime.
Megjithatë, organizata si Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë kritikuar procesin për mungesë garancish ligjore dhe rrezik për dënime të padrejta. Pavarësisht kritikave, politika e ashpër kundër bandave gëzon mbështetje të gjerë publike, ndërsa niveli i vrasjeve ka rënë ndjeshëm në vitet e fundit. (A2 Televizion)