Pakistani sulmon Afganistanin, talebanët paralajmërojnë hakmarrje

Nga A2 CNN
27 Shkurt 2026, 07:31 | Bota

Pakistani sulmon Afganistanin, talebanët paralajmërojnë hakmarrje

Tensionet mes Pakistanit dhe Afganistanit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas një vale sulmesh ajrore pakistaneze, që sipas zyrtarëve talebanë kanë goditur edhe kryeqytetin Kabul. Qeveria talebane konfirmoi sulmet, por nuk dha ende detaje për objektivat apo viktimat.

Një banor i zonës Dashti Barchi në Kabul tha për BBC se një shpërthim i fuqishëm tronditi shtëpinë e tij gjatë natës.

“Menduam fillimisht se ishte tërmet, por më pas dëgjuam shpërthimin dhe pamë avionë luftarakë mbi qytet”, u shpreh ai, duke shtuar se familja e tij dhe fqinjët qëndruan zgjuar gjithë natën nga frika, shkruan A2 CNN.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif deklaroi se vendi ka “aftësi të plotë për të shtypur çdo ambicie agresive”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Khëaja Asif foli për “luftë të hapur” kundër talebanëve afganë.

Pakistani sulmon Afganistanin, talebanët paralajmërojnë hakmarrje

Nga ana tjetër, një zëdhënës taleban paralajmëroi se do të ketë hakmarrje nëse sulmet vazhdojnë.

Përplasjet nisën pasi talebanët njoftuan një ofensivë kundër posteve ushtarake pakistaneze pranë kufirit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të mëparshme të Islamabadit. OKB ka raportuar se nga sulmet e hershme në shkurt mbetën të vrarë të paktën 13 civilë, përcjell A2 CNN.

Zyrtarë lokalë në Nangarhar thanë se një kamp refugjatësh u godit me armë zjarri, duke lënë të paktën nëntë të plagosur.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve të respektojnë ligjin ndërkombëtar, ndërsa Irani ofroi ndërmjetësim për të ulur tensionet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos