
Jeffrey Epstein u përpoq të blinte një pallat luksoz në Marok një ditë para arrestimit të tij në vitin 2019, sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së muajin e kaluar.
Sipas dosjeve, Epstein kishte ndjekur blerjen e Bin Ennakhil që nga viti 2011, por mosmarrëveshjet me shitësin mbi çmimin dhe marrëveshjen e blerjes vazhduan me vite.
Më 5 korrik 2019 ai nënshkroi një transfertë bankare prej 14.95 milionë dollarësh, si pjesë e një marrëveshjeje për të blerë për 18 milionë euro kompaninë offshore që zotëronte pronën “Bin Ennakhil”, në zonën ekskluzive Palmeraie të Marrakeshit.

Pallati madhështor në lagjen luksoze Palmeraie të Marrakeshit është përshkruar si një kryevepër arkitekturore, e ndërtuar nga 1,300 artizanë dhe me gdhendje dhe mozaikë të zbukuruar.
Sipas dokumenteve të publikuara, transferta ishte transaksioni i fundit i madh financiar i Epstein në periudhën para arrestimit të tij nga autoritetet amerikane për akuzat e trafikimit seksual pas kthimit të tij në Nju Jork.
Megjithatë, tri ditë pas arrestimit të Epstein në Nju Jork për akuza të trafikimit seksual, kontabilisti i tij Richard Kahn anuloi transfertën dhe blerja nuk u finalizua.

Maroku nuk ka traktat ekstradimi me SHBA-në, çka ka nxitur spekulime në mediat lokale se prona mund të ishte menduar si një strehë e mundshme për t’iu shmangur drejtësisë amerikane.
Një ish-bashkëpunëtor i Epstein ka deklaruar se transaksioni tregon se ai “nuk kishte dijeni” për arrestimin e afërt, ndërsa dokumentet nuk përmbajnë prova se prona ishte planifikuar si arratisje.
Lidhjet e Epstein me Marokun datojnë prej fillimit të viteve 2000. Në vitin 2002, ai mori pjesë në dasmën e mbretit Mohammed VI, i ftuar nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton. Gjithashtu, në kujtimet e saj, Virginia Giuffre ka rrëfyer se ishte dërguar në Tangier nga Epstein dhe Ghislaine Maxwell për të inspektuar dizajnin e brendshëm të një numri pronash luksoze. (A2 Televizion)