Një dron rus i rrëzuar në Rumani ka rikthyer edhe njëherë ethet e luftës në Europë. Ngjarja e kësaj të enjte në një zonë të pabanuar në Rumaninë lindore, ka bërë që Bukureshti zyrtar të akuzojë Kremlinin për një "përshkallëzim të papërgjegjshëm".
Ministria rumune e Mbrojtjes pretendon se kanë gjetur prova që vërtetojnë se droni rus u rrëzua në territorin e tyre, rreth 4 kilometra nga qyteti i vogël i Grindu, pas sulmit që Moska kreu gjatë natës mbi infrastrukturën portuale ukrainase në Danub.
Rumania pas ngjarjes ka njoftuar menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe thirri ambasadorin rus në Bukuresht Valeriy Kuzmin.
"Ministria e Jashtme e Rumanisë thirri ambasadorin rus për të shprehur notë proteste kundër këtyre veprimeve të vazhdueshme, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin ndërkombëtar dhe shënojnë një përshkallëzim të papërgjegjshëm”, bëri me dije ambasadori i Rumanisë në NATO, Dan Neculăescu.
Për incidentin ka reaguar edhe zëdhënësi i NATO-s, Dylan White, i cili dënoi "sulmet ruse kundër infrastrukturës civile në Ukrainë dhe përgjatë Danubit". Ai shtoi se NATO po monitoron situatën dhe po qëndron në kontakt të ngushtë me Rumaninë.
“NATO nuk ka asnjë informacion që tregon ndonjë sulm të qëllimshëm nga Rusia kundër aleatëve”, shtoi ai.
Ndërkohë, sipas raportimeve autoritetet rumune kanë gjetur një krater 1.5 metër të thellë, i cili ishte rezultat i një përplasjeje droni. Pas sulmit, avionët luftarakë rumunë F-16 dhe avionët gjermanë Eurofighter Typhoon kryen mbikëqyrje të hapësirës ajrore të Rumanisë, ndërsa zona është siguruar dhe kanë nisur hetimet.
Si një anëtare e NATO-s, Rumania mbrohet sipas nenit 5 të traktateve të aleancës ushtarake, i cili thotë se një sulm ndaj një anëtari do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë anëtarëve.
Kjo nuk është hera e parë që eksplozivët e gjuajtur gjatë ofensivës ruse kundër Ukrainës zbarkojnë në vende të huaja, duke përfshirë anëtarët e BE-së dhe NATO-s.
Që kur u tërhoq nga një marrëveshje që lejon eksportin e sigurt të grurit ukrainas nëpërmjet Detit të Zi në korrik, Rusia ka sulmuar portet dhe magazinat ukrainase në kufijtë e Danubit, duke shënuar disa incidente të izoluara të zbarkimit të pjesëve të dronëve në Rumani.
Në shtator, një tjetër dron rus u gjet në territorin rumun pranë lumit Danub, duke shkaktuar tërbimin e zyrtarëve në Bukuresht. Menjëherë pas kësaj, Bullgaria, gjithashtu një anëtare e NATO-s, raportoi se kishte gjetur një dron kamikaz në territorin e saj, por nuk mund të konfirmonte origjinën e tij.
Rrëzimi i dronit rus në Rumani ndodh në të njëjtën ditë, kur Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua liderëve evropianë me një thirrje për ndihmë.
"Sot ju kërkoj një gjë: mos i tradhtoni qytetarët dhe besimin e tyre në Evropë. Nëse askush nuk beson në Evropë, çfarë do ta mbajë Bashkimin Evropian gjallë? Qytetarët evropianë nuk do të shohin asnjë përfitim nëse Moska merr një leje nga Brukseli në formën e negativitetit të shprehur ndaj Ukrainës. Putini me siguri do ta përdorë atë kundër nesh dhe kundër gjithë Evropës”, tha Zelensky, duke folur përmes videolidhjes në samitin e BE-së.
Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin nuk mund ta fshehte entuziazmin për “braktisjen” që Perëndimi po i bën Kievit. Në deklaratën e tij të fundvitit, Putin duke iu armëve që po përdoren në luftë tha se "Ukraina sot nuk prodhon pothuajse asgjë dhe gjithçka vjen nga Perëndimi, por kjo ndihmë një ditë do të ndalet dhe duket se i ka ardhur fundi". (A2 Televizion)