
Në kuadër të Mbledhjes së Përbashkët Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, u nënshkrua sot memorandumi i mirëkuptimit midis Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe SIMEST S.p.A.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për mbështetjen e bizneseve shqiptare në procesin e ndërkombëtarizimit, shkruan A2.
“Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik më i afërt, investitori i parë dypalësh dhe ndërmjetësi kryesor ekonomik dhe institucional i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian. Marrëveshja AIDA-SIMEST përfaqëson një hap konkret drejt krijimit të një ekosistemi të integruar mbështetjeje për bizneset, duke nxitur inovacionin, digjitalizimin dhe rritjen e qëndrueshme”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se bashkëpunimi midis institucioneve si CDP (Cassa Depositi e Prestiti) dhe SIMEST po ndërton ura të forta bashkëpunimi në fusha kyçe si kërkimi shkencor, inovacioni teknologjik, financimi i zhvillimit dhe mbështetja e ndërmarrjeve të vogla e të mesme (SME).
Në këtë kuadër, ministrja nënvizoi edhe rëndësinë e marrëveshjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila hyri në fuqi më 1 korrik 2025, duke mundësuar bashkimin e periudhave të sigurimeve për qytetarët që kanë punuar në të dy vendet. Deri më tani janë paraqitur rreth 1,500 aplikime, prej të cilave 700 janë përpunuar me sukses nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Ibrahimaj bëri të ditur se këto marrëveshje tregojnë qartë vizionin tonë të përbashkët për një të ardhme europiane, për një ekonomi më të fortë, më inovative dhe të qëndrueshme.
“Shqipëria e konsideron Italinë jo vetëm si një partner strategjik, por si një vend mik e vëlla, që qëndron në krah të saj në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Qëllimi ynë i përbashkët është zgjerimi i urës tashmë të fortë dhe të sigurt midis Tiranës dhe Romës, që bashkon ndërmarrje, universitete, institucione, komunitete dhe qytetarë në familjen e madhe evropiane”, theksoi znj. Ibrahimaj. (A2 Televizion)
