A do shkojnë në Moskë? Pas Vuçiç, sëmuret papritur edhe Robert Fico

Nga Erjon Dervishi
4 Maj 2025, 11:53 | Bota

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka lënë spitalin pasi u ndje papritur keq. Mjekët nga Spitali Ushtarak i Beogradit bëjnë me dije se kreu i shtetit serb ndodhet në gjendje të kënaqshme.

Aleksandar Vuçiç u sëmur papritmas dhe si rrjedhojë ndërpreu vizitën në SHBA “për shkak të problemeve shëndetësore”, shkruan A2.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe me kryeministrin sllovak Robert Fico gjatë ditëve të fundit, i cili anuloi vazhdimisht daljet e paralajmëruara publike, gjë që shkaktoi spekulime për “përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore”.

Të dy liderët kanë njoftuar pjesëmarrjen në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj, gjë që ngre pyetjen nëse Vuçiç e Fico po kërkojnë justifikim për të mos shkuar në Rusi, duke pasur parasysh kritikat dhe presionin nga Bashkimi Europian për të mos marrë pjesë në paradën e Putinit në mes të agresionit rus kundër Ukrainës.

Vuçiç kishte njoftuar më parë se planifikon të udhëtojë në Moskë javën e ardhshme për një paradë ushtarake që shënon Ditën e Fitores. Ky njoftim shkaktoi kritika dhe presion nga BE, i cili pret që vendet kandidate dhe anëtare të përmbahen nga pjesëmarrja në ngjarjet e organizuara nga Rusia. Njëkohësisht, kryeministri i Sllovakisë ka "anuluar" papritmas orarin e tij të punës disa herë gjatë ditëve të fundit, njoftoi stacioni televiziv sllovak TV Noviny.

Robert Fico nuk u shfaq në festimet e planifikuara të Ditës së Majit në qytetin Velke Zaluzhye. “Programi i punës së kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico, për 1 maj është anuluar”, thuhet në një njoftim zyrtar të qeverisë sllovake, pa detaje shtesë. Kryetari i komunës Velki Zaluzhy, Milan Biro, tha se nuk kishin marrë asnjë informacion për arsyen e anulimit. Kjo nuk është hera e parë që Fico ndryshon orarin në minutën e fundit. Në prill, ai anuloi një konferencë për media dhe ligjëratë në Britaninë e Madhe.

Ish-presidenti çek, Milosh Zeman më vonë zbuloi se arsyeja ishte një përkeqësim i shëndetit të tij pas një atentati vitin e kaluar. Ende nuk dihet nëse Vuçiç dhe Fico do të marrin pjesë në paradën e planifikuar për 9 maj në Moskë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos