“Nuk duam përshkallëzim rajonal,” Irani: Izraeli duhet të ndëshkohet për vrasjen e Haniyeh

Nga Erjon Dervishi
5 Gusht 2024, 12:30 | Bota

Irani është gati të ndëshkojë Izraelin. Me anë të një njoftimi për mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, theksoi se, Teherani ka në plan të ndëshkojë Izraelin si hakmarrje për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh javën e kaluar. Sipas zyrtarit Iranian, reagimi dhe veprimi ndaj Tel-Avivit është i pashmangshëm.

“Irani kërkon të vendosë stabilitet në rajon, por kjo do të vijë vetëm me ndëshkimin e agresorit dhe krijimin e frenimit kundër aventurizmit të regjimit sionist Izraelit. Duhet të bëjë me dije se veprimi nga ana e Teheranit është i pashmangshëm,” deklaroi Nasser Kanaani, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Po ashtu zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë mbështetjen ndaj Izraelit, duke thënë se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në detyrën e tij për të ruajtur stabilitetin në rajon dhe duhet të mbështesë "ndëshkimin e agresorit".

Kërcënim të drejtpërdrjetë kundër forcave izraelite ka përbërë edhe deklarata e Komandantit të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike Hossein Salami i cili vuri në dukje se Izraeli "do të marrë ndëshkimin në kohën e duhur".

Teherani dhe grupet e lidhura me Iranin si Hamasi dhe Hezbollahu e kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyeh më 31 korrik. Nga ana e tyre zyrtarët izraelitë nuk e kanë marrë përgjegjësinë për aktin e ndodhur.

Sakaq, disa vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Libani, pasi tensionet e shtuara në rajon kanë rritur frikën e një konflikti në Lindjen e Mesme.

Paralajmërimet vijnë pasi SHBA-ja tha se po dërgonte anije luftarake shtesë në rajon dhe pasi ambasada e Uashingtonit në Liban u bëri thirrje qytetarëve që të rezervojnë "çdo biletë në dispozicion të tyre”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos