Tensionohet më tej situata në Bangladesh, ku prej ditësh tashmë po zhvillohen protesta masive dhe të dhunshme, kundër qeverisë së kryeministres Hasina, e cila fitoi disa muaj më parë një mandat të katërt.
Mijëra protestues sulmuan mëngjesin e së hënës pallatin e kryeministres në kryeqytetin Daka pak minuta pasi Sheikh Hasina u largua nga rezidenca së bashku me motrën e saj për një vend më të sigurt.
Mediat vendase transmetuan imazhe të turmës që nxitonte në rezidencën zyrtare, teksa më pas njoftuan se Sheikh Hasina kishte dhënë dorëheqjen.
Më shumë se 300 persona kanë humbur jetën teksa qindra të tjerë kanë mbetur të plagosur në protestat kundër qeverisë në Bangladesh, si pasojë e përplasjes me forcat e sigurisë.
Dhuna është përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit në Daka, Bobra, Pabna e Rangpur dhe për këtë arsye autoritetet kanë vendosur gjendjen e shtetrrethimit.
Protestuesit janë përballur me reagimin e fortë të policisë e cila ka përdorur plumbat, gazin lotsjellës dhe topat me ujë ndaj tyre, duke shkaktuar një gjakderdhje të vërtetë. (A2 Televizion)