Kina dhe India tradhëtojnë Rusinë. Rriten çmimet e naftës, Putin: Më mirë dialog se luftë

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 10:47 | Bota

Çmimet globale të naftës u rritën me 5% pas sanksioneve që Presidenti amerikan Donald Trump vendosi kundër 2 gjigandëve të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil. Të dyja së bashku ato përbëjnë më shumë se 5% të prodhimit botëror të naftës.

Kompanitë shtetërore kineze dhe indiane, shtete tek të cilat Moska ka orientuar tregtinë pas sanksioneve perëndimore, pezulluan përkohësisht blerjet e naftës detare ruse, për shkak të masave ndëshkuese amerikane, shkruan A2.

Rafineritë në Indi, blerësi më i madh i naftës detare të Moskës, do të reduktojnë ndjeshëm importet, sipas burimeve të industrisë. Putin iu përgjigj me tone sfiduese lëvizjes së homologut amerikan Donald Trump. Duke i cilësuar sanksionet si akt jomiqësor, ai tha se ato nuk do të preknin në mënyrë të rëndësishme ekonominë ruse, ndërsa paralajmëroi se çmimet e naftës do të rriteshin duke sjellë probleme edhe për vende si SHBA.

Megjithatë, Putin shtoi se Rusia dëshiron të vijojë dialogun me SHBA: “Presidenti amerikan vendosi të anulojë ose shtyjë takimin në Budapest. Me gjasë, ai po flet për një shtyrje të tij. Çfarë mund të them. Dialogu është gjithmonë më mirë se çdo konfrontim, çdo mosmarrëveshje e veçanërisht lufta. Sanksionet janë një përpjekje për t’i bërë presion Rusisë. Por, asnjë vend që ka respekt për veten nuk vendos asgjë nën presion”. 

I pyetur mbi komentet e Putinit se sanksionet nuk do të kenë impakt të rëndësishëm, Trump tha se i vinte mirë që mendonte kështu, por se duhej të fliste pas 6 muajve.

Teksa Ukraina vijon thirrjet për sigurimin e raketave me rreze të gjatë nga SHBA dhe aleatët europianë, Putin paralajmëroi se reagimi i Moskës ndaj sulmeve të mundshme në thellësi të Rusisë do të ishte shumë serioz, për të mos thënë shkatërrues.

Liderët e BE u dakordësuan të enjten për të përmbushur nevojat urgjente financiare të Ukrainës për 2 vitet në vijim, por nuk patën marrëveshje për të lejuar përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për këtë qëllim.

Belgjika ngriti shqetësimet mbi një lëvizje të tillë pasi Moska paralajmëroi me përgjigje të dhimbshme. Ndërkohë, Presidenti ukrainas mirëpriti sanksionet e reja si një hap i rëndësishëm, por tha se më shumë presion do të nevojitej ndaj Moskës që ajo të pranonte armëpushimin.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos