Trump “përleshet” me tigrin që vrau të riun britanik, Presidenti amerikan publikon video të krijuar me inteligjencë artificiale

Nga A2 CNN
14 Tetor 2026, 09:32 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar në rrjetin e tij social Truth Social një video të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet duke u përleshur me tigrin që vrau një  britanik në një kopsht zoologjik në South Yorkshire të Anglisë.

Në videon 23-sekondëshe, Trump, i veshur me kostum dhe kravatë, përballet me tigrin siberian Altai, i cili peshon rreth 200 kilogramë. Fillimisht, presidenti duket sikur përpiqet t'i rezistojë sulmit të kafshës, por më pas ngrihet, e ndjek tigrin dhe e rrëzon përtokë. Videoja përfundon me të dy duke u përqafuar. Skenat shoqërohen me këngën “The Lion Sleeps Tonight”.

Pamjet e publikuara nga Trump vijnë pas vdekjes së William Chapman, i cili u sulmua për vdekje nga tigri të shtunën, më 10 tetor. Presidenti amerikan publikoi gjithashtu pamje reale të sulmit, të filmuara nga një person i pranishëm në kopshtin zoologjik. Një minutë më vonë, ai shpërndau edhe një përmbledhje videosh ku kafshë të egra sulmojnë njerëz.

Policia e South Yorkshire kishte kërkuar më herët nga publiku të mos shpërndante pamje shqetësuese të vdekjes së Chapman.

Familja e viktimës reagoi të martën, duke e përshkruar atë si një njeri “të zgjuar, të ngrohtë dhe komunikues”. Në deklaratë, familjarët bënë të ditur se ai kishte vuajtur prej vitesh nga probleme të rëndësishme të shëndetit mendor dhe kishte marrë medikamente të forta.

Prindërit e tij thanë se shpresojnë që autoritetet të zbardhin rrethanat dhe arsyet që e çuan djalin e tyre të hynte në ambientin e tigrit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos