
Policia e Elbasanit ka zbardhur vjedhjen me armë të ndodhur të hënën në lagjen “5 maji”. “Blutë" kanë identifikuar dhe kanë shpallur në kërkim 3 autorë të dyshuar të vjedhjes me armë. Sakaq në hetim është vënë edhe pronari i automjetit që braktisën autorët.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë të DVP Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, si rezultat i punës hetimore, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasit M. M., 46 vjeç, banues në Lezhë, S. A., 27 vjeç, banues në Elbasan dhe N. A., 21 vjeçe, banuese në Greqi. Këta shtetas dyshohet se, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 12.10.2026, nën kërcënimin e armës, kanë vjedhur një shumë parash dhe celularë në një banesë, në lagjen “5 Maji”, në Elbasan.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., 30 vjeç, banues në Tiranë, i afërm i 46-vjeçarit dhe pronar i automjetit që braktisën autorët. Gjatë kontrollit në këtë automjet u gjetën veshje të ngjashme me uniformat e Policisë, një mjet prerës (thikë) dhe një fenelinë. Vijojnë kërkimet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast kriminal dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të tij”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)