Rusia nuk kërkon armëpushim në Ukrainë por një paqe të qëndrueshme. Këtë fakt e ka bërë të ditur, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov gjatë një intervistë për mediat hungareze. Në intervistën e tij, Lavrov thekson se Ruisa ka qenë dhe është e hapur për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit ukrainas. Por thelbësore sipas tij është eliminimi i shkaqeve rrënjësore të konfliktit në Ukrainë.
“Ne duam paqen e qëndrueshme, jo një armëpushim. Nuk kemi nevojë për një pauzë që regjimi i Kievit dhe patronët e tij të jashtëm do ta përdornin për të riorganizuar trupat, për të vazhduar mobilizimin dhe për të forcuar aftësitë e tyre ushtarake. Një zgjidhje e qëndrueshme nuk është e mundur pa eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit. Para së gjithash, është e nevojshme të eliminohen kërcënimet e sigurisë që i paraqiten Rusisë në lidhje me zgjerimin e NATO-s dhe përfshirjen e Ukrainës në NATO”, deklaroi Sergey Lavrov, ministri i Jashtëm rus.
Lavrov thekson se perëndimi duhet të pranojë realitetet e reja në territorin e Ukrainës, si i vetmi shans për ti dhënë fund luftës.
“Është e nevojshme të njihen në të drejtën ndërkombëtare realitetet e reja territoriale që kanë dalë me bashkimin e Krimesë, Sevastopolit, Republikës Popullore të Donetskut, Republikës Popullore të Luhanskut, rajoneve të Zaporizhzhya-s dhe Khersonit me Rusinë. Banorët e këtyre territoreve e përcaktuan fatin e tyre në një referendum, nëpërmjet një shprehjeje të lirë të vullnetit. Axhenda përfshin demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës, heqjen e sanksioneve anti-ruse, tërheqjen e pretendimeve ligjore kundër Rusisë dhe kthimin e aseteve të sekuestruara në mënyrë të paligjshme në Perëndim”, theksoi Lavrov.
Së fundmi, Lavrov bën thirrje për "heqjen e sanksioneve anti-ruse, tërheqjen e të gjitha veprimeve ligjore kundër Rusisë dhe kthimin e aseteve të saj të sekuestruara ilegalisht në Perëndim". (A2 Televizion)