Polonia rikthen kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë

Nga A2 CNN
7 Korrik 2025, 18:20 | Bota

Polonia rikthen kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë

Polonia ka rivendosur kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë mesnatën e së dielës, në një veprim që synon frenimin e migracionit të parregullt.

Migrimi ka qenë një çështje kyçe politike në Poloni që nga zgjedhjet presidenciale të 1 qershorit, të cilat panë Karol Nawrotskin të fitonte me mbështetjen e së djathtës nacionaliste.

"Ky vendim u mor për të luftuar imigracionin e paligjshëm", tha Ministri i Brendshëm polak Tomasz Siemoniak të dielën në mbrëmje, duke këmbëngulur se "në asnjë rrethanë" nuk synon qytetarët e vendeve të tjera të BE-së ose polakët.

Një total prej 52 pikash kontrolli janë ngritur në kufirin me Gjermaninë dhe 13 në kufirin me Lituaninë. Kontrollet nga pala polake do të jenë në fuqi për 30 ditë, nga 7 korriku deri më 5 gusht, por mund të zgjaten dhe do të kryhen rastësisht. Sipas rojeve kufitare polake, kontrollet do të kenë të bëjnë kryesisht me automjete që mund të transportojnë shumë pasagjerë.

Për rreth një muaj tani, praktika në kufirin polako-gjerman ka ndryshuar qartë”, tha të martën kryeministri polak Donald Tusk, duke njoftuar nisjet e kontrolleve.

Ndryshe nga dhjetë vitet e fundit, pala gjermane tani po refuzon të lejojë migrantët që po shkojnë drejt Gjermanisë, për shembull, për të kërkuar azil ose për të marrë një lloj tjetër statusi, të hyjnë në territorin e saj”, shtoi ai, duke shtuar se vendimi i Berlinit kishte shkaktuar gjithashtu “tensione dhe një ndjenjë të justifikuar pabarazie”.

Kontrollet kufitare me Lituaninë u miratuan për të ndaluar migracionin, i cili, sipas Varshavës, është organizuar nga Moska dhe Minsku, me flukse migracioni që kalojnë nëpër Bjellorusi, Letoni, Lituani dhe më pas Poloni.

Vendimi vjen në një kohë kur opozita nacionaliste dhe e djathta ekstreme akuzojnë qeverinë e Tusk se po i “lëshon dorë” Gjermanisë në çështjen e migracionit, duke e kritikuar atë për lejimin e Berlinit që ta përmbytë Poloninë me emigrantë.

Në fund të qershorit, anëtarët e një “Lëvizjeje për Mbrojtjen e Kufirit” të ekstremit të djathtë ngritën “patrulla qytetare” në pika të ndryshme përgjatë kufirit për të monitoruar kalimet, të cilat qeveria këmbëngul se janë të paligjshme.

Mes frikës se autoritetet gjermane dhe polake do të përfshihen në “ping-pong” me azilkërkuesit, Ministria e Brendshme gjermane u përpoq t’i qetësonte qytetarët javën e kaluar duke thënë se ishte në kontakt me palën polake.

Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të gjetur një zgjidhje të mirë, një zgjidhje të mirë të përbashkët”, tha Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrid, i cili gjithashtu i sugjeroi palës polake “të kryejnë kontrolle të përbashkëta kufitare në të ardhmen”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos