
Liderët europianë i kanë bërë thirrje Iranit të kërkojë një “zgjidhje të negociuar”, ndërsa përpiqen t’i japin fund shpërthimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit përmes mjeteve diplomatike. Ata gjithashtu sqaruan se nuk kanë marrë pjesë në sulme.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar i bënë thirrje shtetit iranian t’i lejojë popullit të tij të përcaktojë të ardhmen e vet dhe dënuan sulmet hakmarrëse të Teheranit ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.
Deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrit britanik Keir Starmer theksonte: “Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë vazhdimisht thirrje regjimit iranian t’i japë fund programit bërthamor, të frenojë programin e raketave balistike, të ndalë aktivitetet destabilizuese në rajon dhe në vendet tona, si dhe të ndalë dhunën dhe shtypjen e tmerrshme ndaj popullit të vet. Ne nuk morëm pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët në rajon”.
Liderët ritheksuan angazhimin e tyre për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e jetës së civilëve. “Ne i dënojmë në termat më të fortë sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit. Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake pa dallim. I bëjmë thirrje udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar. Në fund të fundit, populli iranian duhet të lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij,” thuhet në deklaratë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i përshkroi zhvillimet në Iran si “shumë shqetësuese” dhe tha se BE-ja është në “kontakt të ngushtë” me partnerët diplomatikë në rajon.
“Rikonfirmojmë angazhimin tonë të palëkundur për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Garantimi i sigurisë bërthamore dhe parandalimi i çdo veprimi që mund të përshkallëzojë më tej tensionet ose të minojë regjimin global të mos-përhapjes janë me rëndësi kritike”, tha ajo, duke siguruar qytetarët e BE-së në rajon se mund të mbështeten në “mbështetjen e plotë” të BE-së.
Misioni detar i BE-së, EUNAVFOR Aspides, mbetet në gatishmëri të lartë në Detin e Kuq dhe “është i gatshëm të ndihmojë për të mbajtur të hapur korridorin detar”, shtoi ajo. Macron bëri thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se lufta ka “pasoja serioze” për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. “Përshkallëzimi aktual është i rrezikshëm për të gjithë. Duhet të ndalet. Regjimi iranian duhet ta kuptojë se tani nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të angazhohet në negociata me mirëbesim për t’i dhënë fund programeve të tij bërthamore dhe të raketave balistike, si dhe veprimeve të tij destabilizuese në rajon,” shkroi Macron në X.
Në Lindjen e Mesme, ku SHBA-ja ka disa baza ushtarake, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreni thanë se raketat balistike iraniane që synuan objektiva brenda territorit të tyre ishin një “shkelje flagrante” e sovranitetit kombëtar dhe e së drejtës ndërkombëtare. Të dy vendet theksuan të drejtën e tyre për t’iu përgjigjur këtij përshkallëzimi duke mbrojtur sovranitetin e tyre. Katari gjithashtu tha se ka rrëzuar raketa që synonin territorin e tij dhe se ka të drejtë të përgjigjet.
Arabia Saudite dënoi gjithashtu sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrenit, Katarit, Jordanisë dhe Kuvajtit “në termat më të fortë të mundshëm”. Rusia kërkoi ndalimin e menjëhershëm të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Ministria e Jashtme ruse tha se situata duhet të “rikthehet në rrugën e zgjidhjes politike dhe diplomatike” dhe se Rusia është e gatshme të ndihmojë në përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve paqësore të bazuara në “të drejtën ndërkombëtare, respektin reciprok dhe balancën e interesave”. (A2 Televizion)