Shtetet e Bashkuara nuk do të humbim më asnjë dollarë për Ukrainën, por do të mbështesin sigurinë e Kievit. Janë fjalët e presidentit amerikan Donald Trump, i cili shton se nuk janë diskutuar ende garanci të posaçme sigurie për Ukrainën dhe se detajet janë ende duke u shqyrtuar.
“Nuk e dimë ende se cilat do të jenë garancitë pasi nuk kemi diskutuar ende për diçka të tillë. Europa do t’u japë atyre garanci të rëndësishme sigurie, dhe duhet ta bëjnë pasi janë atje. Por ne do të përfshihemi si mbështetës. Do t’i ndihmojmë ata. Mendoj se nëse arrijmë një marrëveshje, ata nuk do të kenë shumë probleme. Por ne do të mbështesim pasi nuk dua të shoh më njerëz që vriten. Unë nuk dua të bej para me Ukrainën, dua që lufta të marrë fund dhe të shpëtoj jetë njerëzish. Por që ta kuptoni, nuk do të humbim më para. Tani ne u shesim armë”.
Presidenti amerikan iu rikthyer akuzave ndaj Volodimir Zelenski, i cili siç thotë ka qene shitësi më i zoti në botë. Sa herë që largohej nga Shtëpia e Bardhë merrte me vete miliona dollarë, ishin fjalët e tij. Ai po ashtu bëri të ditur se kishte zhvilluar një tjetër bisedë telefonike me Putin, e cila siç thotë kishte qene e mirë. Por shpresat për një takim Zelenski–Putin veniten edhe më tej, teksa Trump thotë se presidenti rus nuk do ta takojë homologun ukrainas pasi nuk e pëlqen atë.
Nga ana tjetër presidenti Volodimir Zelenski tha se Rusia nuk po bën asnjë lëshim ndaj Ukrainës për t’i dhënë fund luftës, ashtu siç pretendon. “Nuk besoj se fakti që janë të gatshëm të mos pushtojnë zona te tjera të Ukrainës, është një koncesion’, tha ai gjatë një takimi me zv.kancelarin gjerman.
Ai theksoi se Kievi synon të sigurojë të paktën 1 miliardë dollarë çdo muaj nga aleatët për të blerë armët amerikane që i duhen për luftën kundër Rusisë. (A2 Televizion)