Thellohet përplasja mes shteteve të bashkuara dhe aleatëve evropianë lidhur me luftën në Iran. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, kritikoi hapur Shtetet e Bashkuara për nisjen e një aksioni ushtarak kundër Iranit pa u konsultuar me aleatët evropianë, duke e quajtur Uashingtonin një “aleat të paparashikueshëm” dhe duke shprehur zhgënjim të thellë për pasojat në ekonominë, sigurinë dhe rrjedhat e mundshme migratore të Evropës.
Duke folur në Sciences Po në Paris, Costa i drejtoi Uashingtonit ato që shumë diplomatë i shohin si kritikat publike më të ashpra deri tani nga Brukseli.
“Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara nisën një luftë në Lindjen e Mesme, në fqinjësinë tonë, pa asnjë informacion paraprak për aleatët evropianë apo NATO-n,” tha ai, duke nxjerrë hapur në pah tensionet në rritje transatlantike lidhur me konfliktin me Iranin.
Costa paralajmëroi se konflikti tashmë po godet rëndë ekonominë e Evropës. “Ne po paguajmë, ne po vuajmë,” tha ai, duke përmendur rritjen e çmimeve të energjisë, ndërprerjet në tregti dhe ndikimin më të gjerë financiar mbi familjet dhe qeveritë evropiane.
Ai tha se efektet zinxhir të luftës mund të përkeqësohen nëse armiqësitë vazhdojnë, duke paralajmëruar për kriza të reja humanitare dhe presione migratore.
Ndërsa e quajti SHBA-në “një mik, një partner dhe një aleat”, Costa paralajmëroi se evropianët “nuk mund të jenë naivë” për ndryshimin e prioriteteve amerikane. Ai kritikoi Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, të publikuar dhjetorin e kaluar, për mënyrën se si e trajton Evropën ndryshe nga e kaluara, duke e paraqitur qasjen e Uashingtonit si të njëanshme dhe të paparashikueshme. (A2 Televizion)