Akuzat nga një komision special i OKB-së kundër Izraelit për përdorimin e metodave gjenocidale në Gaza janë të pabaza për Shtetet e Bashkuara. Këtë e tha në një konferencë për shtyp zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.
Ai kundërshton raportin se Izraeli po kryen një gjenocid kundër palestinezëve në Gaza.
“Kjo është diçka me të cilën nuk do të pajtoheshim pa mëdyshje. Ne mendojmë se ky lloj formulimi dhe ato lloj akuzash janë sigurisht të pabaza, pasi kanë të bëjnë me situatën humanitare”, tha Patel, i cili u bwri thirrje organizatave tw ndihmës për disa nga raportimet e tyre në lidhje me situatën humanitare në Gaza, për të cilën Patel pretendon se nuk është e bazuar në fakte.
Sipas një raporti të ri nga Human Rights Watch, autoritetet izraelite kanë shkaktuar zhvendosje masive dhe të qëllimshme të detyruar të civilëve palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023 dhe janë përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
Raporti prej 154 faqesh detajon shkatërrimin e shkaktuar nga fushata ushtarake njëvjeçare e Izraelit në Gaza, e cila ka zhvendosur mbi 90% të popullsisë. Studiuesit mblodhën prova bazuar në intervistat me palestinezët e zhvendosur dhe analizuan imazhet satelitore, urdhrat izraelitë për evakuim dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë izraelitë, duke përfshirë Benjamin Netanyahu. (A2 Televizion)