Grabitet banka. Autori kërcënoi me armë, u largua me monopatinë

Nga Igli Çelmeta
2 Nëntor 2026, 14:46 | Kronikë

Një filial i një banke të nivelit të dytë ra pre e grabitjes mëngjesin e kësaj të hëne. Rreth orës 10:45, një person i maskuar hyri në ambientet e kësaj dege, në zonën e Komunës së Parisit, në kryeqytet.

Me një send në dukje armë në dorë, autori dyshohet se kërcënoi punonjësit dhe rojën e sigurisë, mori një shumë parash dhe u largua menjëherë, shkruan A2.

Për t’i shpëtuar ndjekjes, përdori një monopatinë, ndërsa fytyrën e kishte mbuluar me shall për të shmangur identifikimin. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia ngriti pika kontrolli dhe angazhoi shërbimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Hetuesit kanë nisur verifikimin e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit që dyshohet se ndoqi grabitësi, i cili u largua në drejtim të stadiumit “Dinamo”. Policia synon të rindërtojë të gjithë lëvizjen e autorit dhe të gjejë pamje ku ai mund të jetë shfaqur i pamaskuar, gjatë mbërritjes ose largimit nga filiali.

Dëshmitë janë marrë si nga punonjësi i sigurisë, ashtu edhe nga punonjësit e bankës, të cilët u kërcënuan për të dorëzuar paratë. Grupi hetimor popunon për identifikimin e autorit, dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shumës së grabitur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos