Fillimi i nëntorit ka shënuar thyerjen e bojkotit të mësimit në universitete. Studentët, siç thonë vetë ata, kanë vendosur të hyjnë në auditore për të mos humbur më orë mësimi. Edhe më të vendosurit dhe nismëtarët e protestës, të rinjtë e Mjekësisë së Përgjithshme, janë rikthyer në klasa, ku kanë zhvilluar normalisht mësimin.
Edhe në fakultetet e tjera mësimi u zhvillua deri në mesditë, derisa një grup të rinjsh nga Universiteti Politeknik kanë marshuar drejt fakulteteve ku zhvillohej mësim, për të nxjerrë studentët sërish në protestë. Fillimisht, iu drejtuan Fakultetit të Ekonomisë, atij të Historisë dhe Filologjisë dhe Fakultetit të Drejtësisë. Më pas, kanë marshuar drejt Universitetit të Mjekësisë, me qëllim nxjerrjen e studentëve nga auditorët dhe vijimin e bojkotit.
Stafet akademike deklarojnë se janë pas çdo vendimi që do të marrin studentët, duke vënë në dukje se pjesa më e madhe e tyre duket se janë rikthyer në mësim. Ndërsa pasditeve, shprehen se do t'i bashkohen protestës qytetare para Kryeministrisë. (A2 Televizion)