Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga Izraeli që të lejojë rritjen e nivelit të ndihmave në Gaza.
Sipas mediave të huaja, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë “E gjithë ndihma e autorizuar deri më tani arrin në një lugë çaji ndihmë, kur kërkohet një vërshim i madh ndihme”.
"Nevojat janë të mëdha dhe pengesat janë marramendëse", ka vijuar ai më tej, shkruan A2 CNN.
“Po vendosen kuota të rrepta, ndalime të furnizimeve kryesore dhe procedura të panevojshme vonesash”, tha Guterres.
"Ndërkohë, ofensiva ushtarake izraelite po intensifikohet me nivele të tmerrshme vdekjesh dhe shkatërrimesh. Katër të pestat e territorit të Gazës janë një zonë e ndaluar për popullin e Gazës", vijoi ai më tej.
Guterres ka bërë thirrje për një armëpushim të përhershëm, lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe akses të plotë humanitar.
OKB-ja ka personelin, rrjetet e shpërndarjes dhe marrëdhëniet e nevojshme me komunitetin, thotë Guterres.
Ai thotë se ka 9,000 kamionë me furnizime që presin të hyjnë në Gaza, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se Izraeli vendosi një bllokadë në të gjitha furnizimet duke filluar nga 2 marsi, duke thënë se Hamasi po sekuestronte furnizimet për luftëtarët e tij, një akuzë që grupi e mohon.
Netanyahu lejoi të mërkurën vetëm 100 kamionë që transportonin ushqim për fëmijë dhe pajisje mjekësore në Gaza.
OKB-ja ka thënë se një e katërta e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë në rrezik nga uria, shkruan A2 CNN.
Sistemi i kujdesit shëndetësor në Gaza mezi ka funksionuar, me shumicën e objekteve mjekësore jashtë funksionit, për shkak të sulmeve të përsëritura ushtarake izraelite, bastisjeve dhe ndalimit të hyrjes së furnizimeve mjekësore, thonë mjekët. (A2 Televizion)