Orë kaosi në Korenë e Jugut. Shpalli ligjin ushtarak, kërkohet dorëheqja e Presidentit

Nga Erjon Dervishi
4 Dhjetor 2024, 11:55 | Bota

Ligjvënësit në Korenë e Jugut paraqitën një mocion për shkarkimin e Presidentit Yoon Suk Yeol pas orëve dramatike që përfshinë ekonominë e katërt më të madhe të Azisë.

Të martën, Presidenti shpalli në mënyrë të papritur ligjin ushtarak, që shkaktoi kaos në Parlament. Deputetët refuzuan përpjekjet e Kreut të Shtetit për të ndaluar aktivitetin politik dhe censuruar mediat, teksa forcat e armatosura hynë në Asamblenë Kombëtare të Seulit.

Opozita kërkon dorëheqjen ose daljen para drejtësisë së Yoon dhe tha se projektligji për shkarkimin e tij do të votohet brenda 72 orëve.

“Parlamenti duhet të fokusohet në pezullimin e menjëhershëm të mandatit të Presidentit për të miratuar një projektligj për shkarkimin sa më shpejt”, u tha gazetarëve një nga deputetët në koalicion.

Udhëheqësi i Partisë së Pushtetit Popullor në pushtet të Yoon bëri thirrje që ministri i Mbrojtjes, Kim Yong-hyun, të shkarkohet dhe i gjithë kabineti të japë dorëheqjen.

Presidenti tha në një fjalim televiziv në orët e vona të së martës se gjendja e jashtëzakonshme ishte e nevojshme për të mbrojtur vendin nga forcat antishtetërore pro-koreanoveriore dhe për të mbrojtur rendin kushtetues, edhe pse nuk citoi kërcënime specifike.

Skena kaotike u panë teksa trupat ushtarake u përpoqën të merrnin kontrollin e godinës së Parlamentit, edhe pse u sprapsën kur punonjës të Parlamentit i hodhën ujë, ndërsa protesutesit u përleshën me policinë jashtë ndërtesës.

Ligjvënësit sfiduan kordonin e sigurisë dhe pas disa orësh kaluan një mocion për shfuqizimin e gjendjes së jashtëzakonshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos