
Gazetarët në Itali zhvillojnë sot një grevë kombëtare, në shenjë proteste për mosrinovimin e kontratës së punës, e cila ka skaduar prej më shumë se 10 vitesh. Për këtë arsye edhe mediat online italiane sot nuk kanë asnjë përditësim informacioni.
Në një deklaratë zyrtare, Federata Kombëtare e Shtypit Italian (FNSI) theksoi se kjo është dita e dytë e një serie prej pesë grevash të paralajmëruara, ndërsa protesta e radhës është caktuar për 16 prill.
Sindikatat kërkojnë rinovimin e menjëhershëm të kontratës dhe përmirësimin e kushteve të punës, duke theksuar se pagat kanë mbetur të pandryshuara që prej vitit 2016, ndërsa inflacioni dhe rritja e ngarkesës në punë kanë përkeqësuar situatën e gazetarëve. Ata theksojnë se një pagesë dinjitoze dhe kontrata e përditësuar nuk janë privilegje, por të drejta themelore.
“Të kesh një kontratë të rinovuar nuk është privilegj. Të paguash një pagë të mirë, si brenda ashtu edhe jashtë redaksisë, nuk është privilegj. Të punosh pa pasiguri të përhershme nuk është privilegj. Ofrimi i informacionit falas, profesional dhe të pavarur, i lirë nga shantazhi financiar, është një e drejtë. Sigurimi i kushteve dinjitoze për ata që punojnë , për ata që hyjnë në profesion dhe për ata që e lënë atë, është një detyrim. Sigurimi i së ardhmes së informacionit, një e mirë e përbashkët e mbrojtur nga Kushtetuta, nga neni 21, i lidhur ngushtë me nenin 36, është një detyrë shoqërore”, deklaron FNSI.
Sipas FNSI, gazetarët përballen me pasiguri të vazhdueshme, kushte të vështira pune dhe presion ekonomik, çka rrezikon cilësinë dhe pavarësinë e informimit.
“Pa të drejta dhe mbrojtje, gazetaria vdes, dhe bashkë me të edhe demokracia”, thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)