Donald Trump dhe Vladimir Putin sapo kanë dalë së bashku në skenë pasi zhvilluan rreth tre orë bisedime me dyer të mbyllura.
Konferencën për shtyp e ka hapur Presidenti i Rusisë. Ai tha se negociatat me palën amerikane u "zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe respekti të ndërsjellë".
"Ne patëm negociata shumë të hollësishme që ishin mjaft të dobishme", tha Putin teksa falenderoi Donald Trump për propozimin e samitit të Alaskës.
“Vendet tona janë fqinje. Kur zbrita nga avioni thashë "mirëmbrëma, fqinj". Na ndan Ngushtica e Beringut, por jemi fqinjë. Është e rëndësishme që Alaska ka të bëjë me historinë e përbashkët SHBA-Rusi. Në Alaskë, historia ruse është e gjallë me kishat ruse. Falënderojmë qeverinë amerikane për kujdesin ndaj varrezave të pilotëve rusë. Të dy vendet i mundën armiqtë e përbashkët së bashku dhe kjo trashëgimi mund të na ndihmojë në fazën e re në të cilën ndodhemi”, deklaroi fillimisht Putin.
Më pas ai u ndal te negociatat për paqen në Ukrainë dhe fundin e luftës.
“Marrëdhëniet SHBA-Rusi ishin në pikën më të keqe. Ishte e nevojshme të ecnim përpara dhe të hynim në një fazë dialogu. Ky takim ishte vonuar shumë. Unë dhe Presidenti Trump kemi kontakte të mira të drejtpërdrejta, dhe i dërguari Special Witkoff ka udhëtuar shumë herë në Rusi. Pajtohem që siguria e Ukrainës duhet të garantohet. Shpresoj që marrëveshja që arritëm do të çojë në paqe dhe që evropianët nuk do ta minojnë këtë marrëveshje. E kemi parë administratën Trump duke u përpjekur të zgjidhë çështjen ukrainase. Situata në Ukrainë lidhet me çështjet e sigurisë. Ne i konsiderojmë ukrainasit si një komb vëllazëror dhe ajo që po ndodh është një plagë e thellë. Është në interesin e Rusisë t'i japë fund kësaj. Në të njëjtën kohë, jemi të bindur se për të arritur një zgjidhje afatgjatë, duhet të eliminojmë shkaqet e këtij konflikti”, deklaroi Putin.
(A2 Televizion)