
Papa Leoni XIV ka inauguruar kullën më të re të bazilikës së famshme Sagrada Familia në Barcelonë, duke kurorëzuar një moment historik për kryeveprën moderniste të projektuar nga arkitekti Antoni Gaudí.
Pas kremtimit të meshës në ambientet e bazilikës, Papa bekoi Kullën e Jezus Krishtit, e cila me lartësinë prej 172.5 metrash është tashmë pjesa më e lartë e kompleksit dhe e bën Sagrada Familian kishën më të lartë në botë. Kulla përfundon me një kryq qeramik pesëkatësh, i dukshëm nga pjesa më e madhe e Barcelonës.
Ceremonia u shoqërua me një spektakël dritash brenda dhe jashtë bazilikës, si dhe me fishekzjarre që shënuan përfundimin e festimeve.

Ngjarja përkon me 100-vjetorin e vdekjes së Antoni Gaudít dhe përbën një nga momentet kryesore të vizitës njëjavore të Papa Leonit XIV në Spanjë.
Gjatë kësaj vizite, Ati i Shenjtë ka shprehur shqetësimin për konfliktet në rritje në botë, duke paralajmëruar se ato po e shtyjnë njerëzimin drejt një krize të thellë.

Kjo është vizita e tretë e një pape në Sagrada Familia. Ajo vjen gjithashtu një vit pasi Vatikani miratoi një hap të rëndësishëm në procesin e shpalljes së Antoni Gaudít shenjt.
I lindur në vitin 1852, Gaudí ishte një katolik i devotshëm që punoi për më shumë se 40 vjet në ndërtimin e Sagrada Familias, nga viti 1883 deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident me tramvaj në vitin 1926. (A2 Televizion)