Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka rënë dakord me Fox News për të marrë pjesë në një debat televiziv më 4 shtator me Kamala Harris dhe se nuk do të marrë pjesë në debatin e rënë dakord më parë me ABC, ku do të debatonte me Joe Biden.
Trump tha se debati do të zhvillohet në shtetin e Pensilvanisë me publik dhe se moderatorë do të ishin prezantuesit e Fox News, Bret Baier dhe Martha MacCallum. Nuk ka ende konfirmim nga zv.presidentja Kamala Harris, nëse do të marrë pjesë në debat apo jo.
“Kam rënë dakord me Fox News që të debatoj me Kamala Harris të mërkurën e 4 shtatorit. Debati që ishte skeduluar më parë me Joe “gjumashin” është anuluar”, shkroi Trump në rrjetin social “Truth”.
Zv.presidentja është kandidatja demokrate për zgjedhjet e nëntorit, pasi Joe Biden vendosi të tërhiqej nga gara, për shkak edhe të presionit nga brenda partisë. Ai humbi bindshëm debatin me Trump, të zhvilluar në CNN dhe prej aty nisën edhe zërat kundër kandidimit të tij për një mandat të dytë.
Zgjedhjet për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara do të zhvillohen më 5 nëntor të këtij viti. (A2 Televizion)