Pasuesi është paraardhësi. Hamas ka zgjedhur Khaled Mashal, që udhëhoqi grupimin përpara Ismail Haniyeh, të vrarë në Iran, nga viti 1996 deri në 2017, si liderin e ri politik. Kështu raportojnë mediat ndërkombëtare që citojnë burime nga Turqia, të cilat konfirmojnë se politikani pragmatist do të mbajë atë rol në mënyrë të përkohshme, në pritje të zyrtarizimit nga byroja politike.
Meshal ka qenë gjithmonë më shumë i interesuar për aktet e brendshme balancuese sesa në terren, apo në operacionet ushtarake mbi të cilat i vetmi zë që dëgjohet sot është ai i Yahia Sinwar, organizatorit të masakrës së 7 tetorit.
“Një pragmatist që nuk i pëlqen kompromisi”, e përkufizojnë atë analistët izraelitë dhe palestinezë. Ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, e telefonoi së fundmi për të folur lidhur me vdekjen e Haniyeh dhe për lëvizjet e radhës të Hamasit në negociatat për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Jo rastësisht Mashal ishte bashkë me liderin e ndjerë të grupimit palestinez në vizitën e fundit në Ankara për tu takuar me presidenti Erdogan. Ai ka lindur në një fshat të Bregut Perëndimor, jo larg nga Ramallahu, por është rritur në Aman të Jordanisë, ku u transferua pas Luftës 7 Ditore.
Mashal jeton prej vitesh jashtë, ashtu si të gjithë liderët politikë të Hamasit që kanë detyrë të ruajnë marrëdhëniet me aleatët. Por ndryshe nga Haniyeh dhe Khalil al-Haya, ai nuk ka raporte të mira me Iranin dhe me Hezbollahun që i kritikuan mbështetjen për pranverën arabe dhe rebelët sirianë.
Në vitin 1997, Mashal i mbijetoi një atentati për vrasjen e tij nga dy agjentë izraelitë të Mosadit në Jordani që e helmuan atë. U desh ndërhyrja e mbretit të Jordanisë dhe presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bindur Benjamin Netanjahun që të jepte antidotin. Ky episodi dha Mashal nofkën e “martirit të gjallë” dhe i mundëson që të ngjisë edhe njëherë shkallët e lidershipit të Hamas. Me të në krye, grupimi palestinez fitoi zgjedhjet në vitin 2006. Gjithashtu është përfshirë disa herë në negociata me Izraelin. (A2 Televizion)