“Perandoria” mediatike nga Velesi në Floridë

Nga A2 CNN
25 Tetor 2025, 09:43 | Bota

“Perandoria” mediatike nga Velesi në Floridë

Nga një adoleshent që drejtonte një blog për basketboll dhe fitonte rreth 400 dollarë në ditë, deri te krijimi i një media amerikane “anti mainstream” me vlerë qindra mijëra dollarë. Kështu e ka përshkruar veten në një intervistë 27-vjeçari nga Velesi, Rumen Naumovski.

Emri i tij këto ditë është përmendur në mediat amerikane si pronari i faqes Resist the Mainstream, ndërsa është zbuluar se në vitin 2022 ai ka dhuruar në mënyrë të paligjshme para për një kandidat për Kongresin amerikan.

Në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, Naumovski nuk është përmendur më parë. Por, në mediat amerikane, emri i tij lidhet me grupin e adoleshentëve nga Velesi që në vitin 2016, siç kanë shkruar disa media ndërkombëtare, fitonin “shuma të mëdha parash” nga faqet e internetit që shpërndanin dezinformata për zgjedhjet presidenciale amerikane.

Rumen Naumovski në vitin 2022 kishte dhuruar në mënyrë të paligjshme mbi 3 mijë dollarë për fushatën e kandidatit për Kongresin amerikan, Roth Watkins.

Donacioni i Naumovskit është i paligjshëm sepse shtetasve të huaj, sipas ligjeve amerikane, u ndalohet të dhurojnë para për fushata politike.

“Perandoria” mediatike nga Velesi në Floridë

“Nuk kam asnjë koment”, ishte përgjigjja e shkurtër që Naumovski dha, pasi Radio Evropa e Lirë i kërkoi që të dëgjonte versionin e tij të ngjarjes. Pas kësaj përgjigje të shkurtër, ai e mbylli telefonin.

Por, kur u pyet se a pret të përballet me sanksione pas zbulimit se kishte dhuruar para në mënyrë të paligjshme për një kandidat për Kongresin amerikan, në një mesazh dërguar në Viber ai dërgoi një përgjigje që e kishte publikuar në platformën Telegram më 2022.

“Bëra një donacion online për një fushatë politike në SHBA, pa e kuptuar se kjo ishte e ndaluar për mua, si person që ka vizë amerikane, por jo kartë të gjelbër. Disa minuta pasi e kuptova, kontaktova me fushatën, e cila menjëherë m’i ktheu paratë. E dua Amerikën dhe kurrë nuk do të shkelja me qëllim asnjë rregull. Jeto dhe mëso!”, ishte përgjigjja e Rumen Naumovskit.

Sipas dokumentit në të cilin i referohet mediumi amerikan Open Secrets, ai i kishte dhënë paratë për fushatën e kandidatit për kongresist Watkins në shkurt të vitit 2022. Në atë dokument, si adresë e donatorit Naumovski figuron adresa e agjencisë së marketingut Raww Digital në Shën Petersburg, Floridë.

Por, në dokumentet themeluese të agjencisë amerikane të marketingut, është regjistruar adresa në qytetin e tij të lindjes, Veles në Maqedoni të Veriut. Kjo tregon lidhjen mes tij dhe firmës së marketingut në Floridë. Investimin në SHBA, Naumovski e kishte regjistruar në Regjistrin Qendror të Maqedonisë së Veriut në shtator të vitit 2022. Ai e themeloi agjencinë e marketingut në SHBA si person fizik, me një kapital fillestar prej 100 mijë dollarësh.

Kompania maqedonase me fitim minimal

“Perandoria” mediatike nga Velesi në Floridë

Në të njëjtën adresë në Veles, tre vjet më parë – në vitin 2019 – ai kishte themeluar edhe një kompani maqedonase me të njëjtin emër, të shkruar në alfabetin cirilik, Raww Digital.

Sipas të dhënave nga Regjistri Qendror, kompania ka qenë aktive deri në gusht të këtij viti, kur është likuiduar.

Të dhënat tregojnë se për agjencinë maqedonase nuk ka pasur nevojë të paguante tatime në vendin e tij, pasi nuk kishte qarkullim të madh financiar. Në bilancin përfundimtar për vitin 2022, ai kishte deklaruar të ardhura prej vetëm 1.800 eurosh. Por, po atë vit, nga llogaria e tij kishte investuar 100 mijë dollarë për themelimin e agjencisë amerikane të marketingut.

Në vitin pasues, më 2023, kompania nuk raportoi asnjë të ardhur, ndërsa në 2024 deklaroi të ardhura simbolike prej rreth 100 eurosh.

Agjencia amerikane Raww Digital, e cila ekziston prej disa vitesh, aktualisht nuk ka faqe aktive në internet, ndërsa domeni për mirëmbajtje është regjistruar në një adresë në Rekjavik të Islandës.

Naumovski pretendon se kurrë nuk ka qenë në SHBA, edhe pse atje ka një kompani

Naumovski është themelues i kompanisë së marketingut Raww Digital dhe i faqes së internetit Resist the Mainstream, e cila e përshkruan veten si “një kompani mediatike për njerëzit që e kanë humbur besimin te mediat tradicionale”. Media, në të cilën, siç pohoi ai, ka investuar mbi 145 mijë dollarë dhe punëson 11 amerikanë, Naumovski e menaxhon nga shtëpia e tij në Maqedoninë e Veriut, pasi siç shpjegoi nuk ka marrë vizën amerikane të biznesit E-2, që u mundëson investitorëve hyrjen në SHBA për të zhvilluar biznesin e tyre.

“Prej shtatë vitesh jam përpjekur të hyj ligjërisht në Amerikë. Më refuzuan, më është shtyrë afati [për vizë] dhe në fund më është refuzuar edhe vizita. Krimi im? Jam tepër i sinqertë në dëshirën për t’u bërë qytetar amerikan”, shkroi Naumovski në një artikull të publikuar në median amerikane Daily Wire.

Në këtë shkrim, ai bëri një krahasim duke thënë se ndërsa kishte pritur shtatë vjet rreth 12 milionë njerëz e kishin kaluar kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara pa viza dhe më pas ishin strehuar dhe kishin marrë përfitime brenda pak muajsh.

Në vitin 2022, Bloomberg shkroi se faqja e internetit e quajtur Resist the Mainstream ishte zbuluar për herë të parë nga Partneriteti për Integritet Zgjedhor në tetor të vitit 2020, për përhapje të lajmeve hiper-partiake, teksa kishte fshehur origjinën e saj të huaj.

“Themeluesi i saj, Rumen Naumovski, thuhet se është bashkëkohës i grupit të adoleshentëve nga Velesi, Maqedoni e Veriut, të cilët krijuan qindra faqe në Facebook – shpesh në mbështetje të Donald Trumpit – gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 2016, ndërsa shumë prej atyre faqeve shpërndanin informacione të rreme”, thuhej në artikullin e Bloomberg-ut.

Velesi sërish në fokus të lajmeve të rreme

Në të gjithashtu shpjegohej se Naumovski kundërshtoi përshkrimin e Resist the Mainstream si një faqe të rreme dhe tha se raportimet e kësaj faqeje për zgjedhjet dhe vaksinat ishin të sakta.

“Puna jonë është të hulumtojmë për të vërtetën, jo ta fshehim raportimin tonë pas asaj që ‘dimë’ se duhet të jetë e vërteta”, kishte thënë Naumvski në një mesazh dërguar Bloomberg-ut.

Naumovski: Jam mirënjohës që u bëra pjesë e botës politike konservatore

Për mënyrën se si e filloi biznesin e tij në SHBA, Naumovski ka folur në një podkast me Ken LaKort, një amerikan që publikon video në YouTube dhe ish-drejtor ekzekutiv në Fox News, të cilit për një periudhë i kishte ndihmuar në zhvillimin e profileve në Instagram për produktet mediatike të LaKort.

“I thash vetes nuk do të shkoj në universitet. Nëse mund të fitoja 400 dollarë në ditë online kur isha 16 vjeç, nuk kam nevojë të shkoj në universitet, mund të fitoj para online, apo jo”, u shpreh ai.

Në vazhdim të podkastit, ai në mënyrë indirekte tregoi edhe për zhvillimin e mediave të tij të djathta, duke u distancuar nga faqet me lajme të rreme nga Velesi.

“Por, sa i përket kësaj, shumë njerëz u futën në politikë, siç thatë edhe ju. Disa prej tyre publikuan lajme krejtësisht të rreme. Disa të tjerë vetëm lajme që ishin mashtruese dhe çuan në keqkuptime. Por, si më preku kjo mua? Ende mendoj se edhe pa ato do të isha pjesë e diçkaje të madhe dhe do të ndërtoja diçka gjigante. Pra, më ndikoi në kuptimin që të hyja në këtë, e di ti, botë politike konservatore, sigurisht. Dhe jam mirënjohës për këtë“, tha ai gjatë këtij podkasti.

Si u bë Maqedonia qendër globale e keqinformimit pro Trumpit?

Naumovski, siç shkroi në artikullin e vetëm që ka publikuar, “kurrë nuk ka shkelur” në tokën amerikane, ku zotëron një media me 11 punonjës dhe një agjenci marketingu.

Nga institucionet maqedonase REL-i kërkoi përgjigje nëse deri tani është verifikuar se si ka siguruar paratë për të hapur një media jashtë vendit dhe nëse paguan tatime në vendin e tij. Nga Administrata për të Ardhurat Publike thanë se nuk mund të përgjigjen në këtë pyetje.

“Të dhënat, informacionet për procedurat dhe veprimet që ndërmerren nga Administrata për të Ardhurat Publike janë të dhëna, respektivisht informacione nga procedura tatimore dhe shërbejnë ekskluzivisht për qëllime tatimore dhe përbëjnë sekret tatimor”, thanë nga kjo administratë për REL-in.

Sipas të dhënave të mbledhura deri tani nga Radio Evropa e Lirë nga Regjistri Qendror, Naumovski nuk ka raprotuar fitime të mëdha përmes kompanisë maqedonase, por si person fizik, nga llogaria e tij ka investuar 100 mijë dollarë si kapital për hapjen e një agjencie amerikane marketingu.

Eksperti për politikë tatimore, Borce Smilevski, thotë se çdo qytetar maqedonas është i lirë dhe mund të investojë para jashtë vendit, por nëse fiton të ardhura që “shkojnë” në llogarinë e brendshme, në vendin e tij duhet të paguajë taksë në bazë të dividentës. Megjithatë, për verifikimin e origjinës së parave për investim jashtë vendit janë përgjegjëse organet si Drejtoria për Zbulim Financiar dhe Policia Financiare.

“Kjo është një çështje me kontekst më të gjerë, nuk ka të bëjë vetëm me të. Në këtë shtet ka shumë persona të cilëve u duhet të verifikohet origjina e parave. Kjo është një çështje që zgjatet me vite, dhe derisa të miratohet ligji për verifikimin e origjinës së pasurisë, këto çështje do të mbeten të hapura”, shpjegon Smilevski.

Nga Drejtoria për Zbulim Financiar dhe Policia Financiare, institucionet kompetente për kontrollin e aktiviteteve të dyshimta financiare, deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e REL-it nëse deri më tani Naumovski ka qenë subjekt i ndonjë kontrolli rreth origjinës së pasurisë.

Sipas Ligjit maqedonas për veprimtarinë me valutë të huaj, qytetarët maqedonas që investojnë para në themelimin e një kompanie në SHBA duhet ta njoftojnë Regjistrin Qendror, dhe investimi i Naumovskit në agjencinë e marketingut në SHBA është regjistruar në regjistrin maqedonas.

Naumovski nga Velesi vazhdon të menaxhojë median Resist the Mainstream dhe agjencinë e marketingut Raww Digital, edhe pse, siç ka pohuar ai, kurrë nuk ka qenë fizikisht në SHBA. Përmes këtyre platformave digjitale ai vazhdon të ndërtojë prani mediatike në hapësirën konservatore amerikane./REL/ (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos