Orë lufte të përgjakshme mes Ukrainës dhe Rusisë. Sulme me raketa dhe dronë janë raportuar gjatë natës dhe mëngjesit në disa rajone ukrainase, ndërsa Moska njofton për një valë të gjerë sulmesh me dronë në territorin rus.
Në rajonin e Kievit, autoritetet raportojnë dy të vrarë dhe tetë të plagosur, ndërsa në Zaporizhzhia tre persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë lënduar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se sulmet kanë dëmtuar edhe infrastrukturën hekurudhore, energjetike dhe objekte civile. Në qendër të vëmendjes mbetet tragjedia në Kryvyi Rih, ku një sulm rus ndaj një qendre tregtare një ditë më parë la 16 persona të vrarë dhe 130 të plagosur, mes tyre 23 fëmijë. Ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet nën rrënoja, ndërsa në operacion janë angazhuar forca nga shtatë rajone dhe ekipe të specializuara me qen kërkimi.
Zelensky ka përsëritur thirrjen për më shumë sisteme dhe interceptorë për mbrojtjen ajrore, duke paralajmëruar se mungesa e tyre po i kushton Ukrainës jetë njerëzish. Ndërkohë, Kievi po kundërpërgjigjet thellë brenda territorit rus.
Forcat ukrainase pretendojnë se kanë goditur depo karburanti dhe lubrifikantësh në kompleksin e naftës në Yeisk, në rajonin e Krasnodarit, duke shkaktuar zjarr.
Në rajonin e Samaras, dronët ukrainas goditën gjithashtu një qendër logjistike të gjigantit rus të shitjeve online Ozon, ndërsa autoritetet ruse raportojnë gjashtë viktima civile nga sulmet ukrainase gjatë natës. (A2 Televizion)