Dhjetëra njerëz rezultojnë të zhdukur në një fshat në Indi pas përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.
Një raport fillestar thotë se katër persona kanë vdekur dhe më shumë se 50 rezultojnë të zhdukur. Më shumë se 10 persona të tjerë janë bllokuar në rrënojat e ndërtesave të rrëmbyera nga përmbytjet.
Vëllimi i madh i ujit që ra në një kohë të shkurtër shkaktoi një lumë balte që përshkoi fshatin Darali në shtetin e Uttarakhand, që është një fshat turistik me disa hotele dhe bujtina për pelegrinët.
Dëshmitë e banorëve tregojnë se të paktën 20 vende akomodimi u rrëmbyen nga ujërat. Dëshmitarë okularë në një fshat aty pranë që filmuan pamjet dramatike mund të dëgjohen duke bërtitur, fishkëllyer dhe duke thirrur "vraponi, ikni", por ishte e vështirë për këdo që të shmangte valën e papritur të baltës.
Darali ndodhet dy kilometra nga Harsil, ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake indiane, si dhe një bazë për grupet paraushtarake.
Megjithatë, puna e ekipeve të shpëtimit është e vështirë për shkak të shirave të vazhdueshëm. Zona është malore dhe e prirur ndaj përmbytjeve. Dy vjet më parë, shirat aty kishin vrarë më shumë se 30 persona. (A2 Televizion)