Negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA mes Ukrainës dhe Rusisë në Gjenevë të martën prodhuan përparim të rëndësishëm. Këtë e tha i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, teksa palët zhvillojnë sot një ditë të dytë bisedimesh.
“Suksesi i presidentit amerikan Donald Trump për të ulur në një tryezë të dyja palët në luftë ka çuar në progres të rëndësishëm dhe ne jemi krenarë që po punojmë nën udhëheqjen e këtij lidershipi për të ndalur vrasjet në këtë konflikt të tmerrshëm”, u shpreh Witkoff në një postim në Twitter.
Megjithatë, shpresat për një arritje të rëndësishme mbeten të ulëta, teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pohoi se nuk është e drejtë që Trump vijon t’i kërkojë vetëm vendit të tij të pranojë kompromis, shkruan A2 CNN. Sipas liderit ukrainas, paqja nuk mund të arrihet nëse fitorja i dorëzohet Rusisë. Presidenti amerikan ka sugjeruar së fundmi se i takon Ukrainës të sigurojë që bisedimet në Gjenevë të jenë të suksesshme, pa e përmendur Rusinë.
“Ne nuk kemi nevojë për këtë luftë. Ne gjithmonë veprojmë në kundërpërgjigje, mbrojmë shtetin dhe pavarësinë tonë. Në të njëjtën kohë, ne jemi gati të ecim shpejt drejt një marrëveshjeje të drejtë për t’i dhënë fund luftës. Pyetja e vetme është për rusët: çfarë duan ata? Dhe nëse do të ketë pasoja për Rusinë për faktin se dronët ‘Shahed’, raketat dhe bisedat fantastike për historinë kanë më shumë rëndësi për ta sesa diplomacia e vërtetë dhe paqja e qëndrueshme”, tha ai.
Kremlini nuk është tërhequr nga kërkesat maksimaliste për territorin ukrainas, ku kërkon kontrollin e të gjithë rajonit lindor, përfshirë zonat që nuk i kontrollon aktualisht. Zelensky, i cili refuzon të lëshojë pjesën e mbetur të Donbasit, këmbëngul se vendit të tij po i kërkohet të bëjë kompromise joproporcionale krahasuar me Rusinë.
Kievi, nga ana e tij, kërkon garanci të forta sigurie nga Perëndimi, përfshirë SHBA-në, para se të arrihet ndonjë marrëveshje me Rusinë.
Në një postim në rrjetet sociale, kryenegociatori ukrainas Umerov tha se dita e parë e bisedimeve në Gjenevë ishte fokusuar te çështjet praktike dhe mekanizmat për zgjidhje të mundshme.
Një burim nga Kremlini tha ndërkohë se negociatat, që zgjatën 6 orë, kishin qenë të tensionuara dhe ishin zhvilluar si në formatin dypalësh ashtu edhe në atë trepalësh. (A2 Televizion)