Një tragjedi hekurudhore tronditi Spanjën mbrëmjen e së dielës. Një tren i shpejtësisë së lartë doli nga shinat dhe u përplas me një tjetër tren në rajonin e Andaluzisë, në jug të Spanjës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 39 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Emergjencat civile thanë se bëhej fjalë për aksidentin më të rëndë hekurudhor në më shumë se një dekadë.
Sipas autoriteteve, vagonët e një treni me drejtim Madridin dolën nga binarët, duke kaluar në shinat e afërta, për t’u përplasur me një tren që vinte në drejtim të kundërt në Adamuz, pranë qytetit të Kordobës. Rreth 400 pasagjerë dhe pjesëtarë të stafit ndodheshin në të dy trenat, sipas operatorit hekurudhor.

Shërbimet e emergjencës u erdhën në ndihmë 122 personave, me 48 prej tyre – përfshirë 5 fëmijë – që gjenden ende në spital. Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e përshkroi aksidentin si tejet të çuditshëm dhe njoftoi nisjen e një hetimi. “Impakti ishte i tmerrshëm, duke shkaktuar rrëzimin e dy vagonëve të parë të trenit të kompanisë Renfe. Të gjithë ekspertët e konsultuar nga qeveria janë të çuditur nga ajo që ka ndodhur”, tha ai.
Rrjeti hekurudhor Adif bëri të ditur se aksidenti kishte ndodhur në orën 19:45 sipas orës lokale, gati një orë pasi treni ishte nisur nga Malaga për në Madrid, kur doli nga shinat në një segment të drejtë të binarit.
Fuqia e përplasjes i shtyu vagonët e trenit të dytë në një argjinaturë 5 metra të lartë, ndërsa, sipas ministrit të Transportit, aksesi në zonë ishte i vështirë. Ai shtoi se shumica e të vrarëve dhe të plagosurve ndodheshin në vagonët e përparmë të trenit të dytë, i cili po udhëtonte nga Madridi në Huelva.

Sipas një dëshmitari, i cili ndodhej në një prej trenave, përplasja ishte ndjerë si një tërmet. Treni i shpejtësisë së lartë i përfshirë në aksident ishte Freccia 1000, i cili mund të arrijë deri në 400 km në orë. Ekipet e shpëtimit thanë se vagonët ishin dëmtuar rëndë, duke vështirësuar operacionet e nxjerrjes së personave të bllokuar.
Kryeministri Pedro Sánchez foli për një natë dhimbjeje të thellë për vendin. Mesazhe ngushëllimi për tragjedinë kanë përcjellë edhe liderë botërorë, si presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni. (A2 Televizion)