Përplasja me Rusinë dhe “muri i qiellit”, liderët europianë mblidhen në Danimarkë për samitin e sigurisë

Nga Xhevahir Qardaku
1 Tetor 2025, 15:46 | Bota

Udhëheqësit e BE-së janë mbledhur sot në Kopenhagë për samitin e rëndësishëm të sigurisë. Ata janë nën presion për të forcuar mbrojtjen europiane pas një serie ndërhyrjesh ruse në hapësirën ajrore të BE-së dhe disa ditë pasi dronët shënjestruan aeroportet daneze. Inkursionet janë bërë më akute për vendet në krahun lindor të NATO-s, si Polonia dhe Estonia, shkruan A2 CNN.

Dhjetë shtete anëtare kanë mbështetur tashmë planet për një “mur dronësh” me disa nivele për të zbuluar, ndjekur dhe shkatërruar shpejt dronët rusë. Danimarka ka shtuar masat e sigurisë përpara samitit, duke ndaluar të gjitha fluturimet e dronëve civilë deri të premten dhe duke vendosur kufizime të rrepta në trafikun në Kopenhagë. Danimarka do të presë gjithashtu një samit më të gjerë të Komunitetit Politik Europian të enjten dhe aleatët ndërkombëtarë kanë dhënë mbështetje për të siguruar që të dyja ngjarjet të kalojnë pa incidente.

Deklaratat kryesore nga samiti

Mette Frederiksen | Kryeministre e Danimarkës: “Me luftën që vazhdon në Europë, ne përballemi, siç të gjithë e dinë, me sfidën më të madhe të sigurisë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore: luftën hibride dhe shkelje e hapësirës ajrore të NATO-s. Prandaj ne duhet që të jemi të aftë të mbrojmë veten. Qëllimi i Këshilli Europian informal është që të garantojnë se do ta bëjmë atë. Ne duhet që t’i përmbushim nevojat ushtarake duke rritur prodhimin”.

Emmanuel Macron | President i Francës: “Cili është udhërrëfyesi për të gjithë ne? Ne duam të jemi më konkurrues sepse kjo është e vetmja mënyrë për të pasur rritje, për të krijuar vende pune, për të financuar modelin tonë social dhe të ardhmen e të rinjve. Ne duam të jemi më sovranë sepse kemi përjetuar gjatë viteve të fundit koston e varësive ndaj të tjerëve, si koha e COVID-it, lufta në Ukrainë, paqëndrueshmëria në këtë botë, dhe duam të përmbushim angazhimet tona për ndryshimet klimatike”.

Ursula von der Leyen | President e Komisionit Europian: “Sa i përket mbrojtjes, është historike ajo që ndodhi muajin e fundit në nivel europian, sigurisht, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n. Por, meqenëse situata është kështu siç është, është absolutisht e nevojshme që të kemi një rritje masive të investimeve në mbrojtje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos