Përplasje mes karteleve, 17 trupa të pajetë gjenden në një shtëpi të braktisur në Meksikë

Nga A2 CNN
28 Maj 2025, 07:36 | Bota

Përplasje mes karteleve, 17 trupa të pajetë gjenden në

Hetuesit e personave të zhdukur në Meksikë kanë zbuluar 17 trupa në një shtëpi të braktisur në qytetin Irapuato të shtetit Guanajuato, një zonë e goditur rëndë nga dhuna e lidhur me kartelët kriminalë. Sipas prokurorisë lokale, zbulimi u bë falë përdorimit të radarëve që depërtojnë në tokë dhe qenve për gjetjen e kufomave.

Autoritetet kanë identifikuar pesë nga viktimat si persona të raportuar më parë të zhdukur, katër burra dhe një grua. Në vendngjarje u gjetën gjithashtu mjete të ndryshme si thika, hanxharë, kazma dhe lopata.

Guanajuato, një rajon industrial dhe turistik, është aktualisht shteti më vdekjeprurës në Meksikë, me mbi 3,000 vrasje të regjistruara vetëm në vitin 2024. Dhuna aty kryesisht buron nga përplasjet midis bandës Santa Rosa de Lima dhe kartelit të fuqishëm Jalisco New Generation.

Që nga viti 2006, Meksika ka humbur rreth 480,000 jetë njerëzish për shkak të dhunës së lidhur me krimin e organizuar, ndërsa mbi 120,000 persona janë raportuar të zhdukur. Familjarët e viktimave, shpesh të pambrojtur dhe të injoruar nga autoritetet, ndërmarrin vetë kërkime në varre të pashënuara në zona të rrezikshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos