Përplasje SHBA-Iran në Hormuz, rikthehet lufta, Trump: Ju shfarosim nëse sulmoni anijet amerikane

Nga Rosalba Bejdo
4 Maj 2026, 22:27 | Bota

Irani goditi një sërë anijesh në Ngushticën e Hormuzit të hënën dhe i vuri zjarrin një porti të rëndësishëm të naftës në Emiratet e Bashkuara arabe, teksa përpjekja e presidentit amerikan për të zhbllokuar lundrimin në Hormuz nxiti përshkallëzimin më të madh që prej shpalljes së armëpushimit 4 javë më herët, shkruan A2CNN.

Trump shpalli në rrjete sociale një mision të ri të quajtur “Project Freedom”, me synimin për të shoqëruar anijet që kishin mbetur të bllokuara në ngushticë dhe për të hapur një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

Por ky veprim u shoqërua me një reagim të fortë nga Irani, i cili prej kohësh ka paralajmëruar se do të përgjigjej ndaj çdo përshkallëzimi me sulme ndaj vendeve fqinje. Ushtria amerikane tha se dy anije tregtare amerikane e kaluan ngushticën, por nuk saktësoi kohën. Irani e mohoi këtë pretendim. Komandanti i forcave te SHBA në rajon deklaroi se flota e tij kishte shkatërruar gjashtë varka të vogla iraniane, gjë që Irani gjithashtu e përgënjeshtroi.

Ndërkohë autoritet ne Teheran publikuan një hartë ku pretendonin se kishin zgjeruar zonën detare nën kontrollin e tyre. Kjo zonë shtrihej shumë më tej se ngushtica, duke përfshirë edhe pjesë të mëdha të ujërave ndërkombëtare, madje edhe në pjesë të bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe në të dy anët e ngushticës. Koreja e Jugut raportoi se një nga anijet e saj tregtare u godit nga një shpërthim dhe mori flakë brenda ngushticës.

Agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO tha se dy anije u qëlluan pranë bregdetit të Emirateve të Bashkuara Arabe ndërkohë kompania energjetike e Emirateve ADNOC deklaroi se një nga cisternat e saj bosh u godit nga dronë iranianë ndërsa po përpiqej të kalonte ngushticën.

Pas raportimeve për sulme me dronë dhe raketa brenda territorit të Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë gjithë ditës, përfshirë një sulm që shkaktoi zjarr në një port të rëndësishëm nafte, Emiratet thanë se sulmet iraniane përbënin një përshkallëzim serioz dhe se ata kishin të drejtën për të reaguar. Për Fox News, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se Irani do të fshihej nga faqja e dheut nëse do të sulmojë anijet amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos