Përshkallëzohen tensionet SHBA–Rusi, Trump sekuestron anijet e Putinit, shpërthen Moska: Akt i paligjshëm

Nga Rosalba Bejdo
8 Janar 2026, 11:16 | Bota

Rusia e ka cilësuar si akt të paligjshëm dhe në shkelje të konventës së OKB-së sekuestrimin e dy cisternave ruse të naftës, Marinera dhe Sophia, nga ana e Shteteve të Bashkuara. E para u bllokua në Atlantikun Verior, ndërsa tjetra në Detin e Karaibeve. Të dyja anijet ishin të lidhura me Venezuelën dhe ishin të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara për shkak të aktiviteteve të paligjshme.

Në një reagim, Ministria e Transportit në Rusi tha se akti përbënte shkelje të Konventës së OKB-së mbi Ligjet Detare të vitit 1982. Sipas deklaratës, Marinera kishte siguruar lejen e lundrimit nën flamurin e Federatës Ruse, mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes në Britaninë e Madhe konfirmoi se Londra kishte ofruar mbështetje ushtarake për sekuestrimin e anijes. Analistët paralajmërojnë për përshkallëzim të tensioneve Rusi–SHBA, mes përpjekjeve agresive të presidentit Donald Trump për të diktuar rrjedhat e naftës në Amerikë dhe për të detyruar qeverinë socialiste të Venezuelës të bëhet aleate.

“Sekuestrimi i anijes cisternë Marinera, e njohur më parë si Bella 1, pasi ajo mori flamurin rus, është një lëvizje domethënëse, sigurisht një veprim që do të përshkallëzojë tensionet me Rusinë. Administrata Trump e di se një tërheqje do të tregonte dobësi dhe për këtë arsye mbetet për t’u parë nëse veprimet kundër anijeve me flamur rus apo edhe kinez do të vazhdojnë”, thotë Gonzalo Saiz Erausquin, ekspert.

E bllokuar pranë ujërave të Europës kontinentale, Marinera akuzohej nga Shtëpia e Bardhë se kishte shkelur sanksionet amerikane duke transportuar naftë iraniane. Prej kohësh ishte në shënjestër të Uashingtonit, i cili muajin e kaluar tentoi sekuestrimin, por anija ndryshoi itinerar, si edhe flamurin nga ai i Guajanës në atë rus.

Kremlini dërgoi anije ushtarake dhe nëndetëse për të mbrojtur Marinerën, por përpjekjet dështuan. Ndërkaq, anija tjetër e bllokuar në Detin e Karaibeve, Sophia, sipas SHBA-së lundronte me flamurin kamerunas, edhe pse në realitet ishte ruse. Uashingtoni deklaroi se edhe ajo bënte pjesë në të ashtuquajturën “flotë hije” të Moskës dhe ishte në shënjestër të sanksioneve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos