Presidenti i shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka bërë një tjetër kërcënim në drejtim të Iranit duke thënë se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara dhe nuk hap Ngushticën e Hormuzit, vendi do të përballet me përfshirjen ushtarake amerikane në rajon duke “hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht” termocentralet dhe puset e naftës në vend.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në diskutime serioze me NJË REGJIM TË RI DHE MË TË ARSYESHËM për t’i dhënë fund Operacioneve tona Ushtarake në Iran. Është bërë përparim i madh, por nëse për ndonjë arsye nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, gjë që ndoshta do të arrihet, dhe nëse Ngushtica e Hormuzit nuk “Hapet për Biznes”, menjëherë ne do ta përfundojmë “qëndrimin” tonë të këndshëm në Iran duke hedhur në erë dhe duke shkatërruar plotësisht të gjitha Termocentralet e tyre të Gjenerimit të Energjisë Elektrike, Puset e Naftës dhe Ishullin Kharg (dhe ndoshta të gjitha termocentralet e desalinizimit!), të cilat qëllimisht nuk i kemi “prekur” ende”, tha Trump, shkruan A2.
Reagimi i Trump vjen pasi Trump ngriti mundësinë që SHBA-të të marrin naftën e Iranit në një intervistë me Financial Times. Trump i tha medias britanike se "preferenca e tij do të ishte të merrte naftën", ndërsa po shqyrton nëse do të marrë në zotërim qendrën kryesore të eksportit të karburantit të Iranit në ishullin Kharg.
Ndërkohë, çmimet e naftës u rritën të hënën, me naftën bruto Brent që kaloi 116 dollarë për fuçi pas komenteve të tij. Sakaq, Irani i përshkroi propozimet e SHBA-së për t'i dhënë fund një muaji lufte në Lindjen e Mesme si "jorealiste, jologjike dhe të tepërta" duke vijuar me sulmet me raketa mbi Izraelin. Ushtria izraelite tha se dy dronë nga Jemeni ishin kapur gjithashtu të hënën, dy ditë pasi Huthit e lidhur me Iranin qëlluan raketa drejt Izraelit për herë të parë që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit që është përhapur në të gjithë rajonin. Hezbollahu i Libanit gjithashtu qëlloi raketa drejt Izraelit të hënën.
Po ashtu Egjipti një nga vendet që po merr intesivisht pjesë në negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka deklaruar me anë të Presidenti, Abdel Fattah al-Sisi, që SHBA, të ndalojë luftën me Iranin, duke thënë se vetëm ai mund ta bënte këtë. Al-Sisi deklaroi gjithashtu se ekziston frika se çmimi i naftës do të shkonte mbi 200 dollarë. "Po i them Presidentit Donald Trump se askush nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë luftën në rajonin tonë, në Gjirin Persik, përveç jush", tha Sisi në konferencën në Kajro. (A2 Televizion)