Plani sekret amerikan, Trump do godiste Iranin dy ditë pas sulmeve izraelite

Nga A2 CNN
20 Qershor 2025, 12:04 | Bota

Shtetet e Bashkuara kanë qenë gati për të sulmuar Iranin më herët, vetëm dy ditë pas sulmeve izraelite. Presidenti Trump u tha ndihmësve të lartë të martën vonë se do miratonte planet e sulmit ndaj Iranit, por po priste të jepte urdhrin përfundimtar për të parë nëse Teherani do të braktisë programin e tij bërthamor, thanë burime për median amerikane Wall Street Journal. 

Që nga udhëzimet e tij private në Shtëpinë e Bardhë për ushtrinë, Trump ka zbuluar publikisht se një sulm është një mundësi.

“Kam ide se çfarë të bëj, por nuk kam marrë ende një vendim përfundimtar—më pëlqen ta marr vendimin përfundimtar një sekondë para se të vijë koha”, u tha ai gazetarëve të mërkurën.

Trump shpreson që kërcënimi për t'u bashkuar me sulmet e Izraelit ndaj Iranit, të cilat vazhduan për të gjashtën ditë me radhë, do ta detyrojë Teheranin të përmbushë kërkesat e tij, citon Wall Street Journal. Ai pranoi se një sulm i SHBA-së ishte duke u shqyrtuar, por tha se ende mund të vendosë kundër tij. 

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se mbeten disa mundësi në tryezë dhe se Trump do të vazhdojë të vëzhgojë se si veprojnë izraelitët.

Izraeli filloi sulmet ajrore kundër infrastrukturës bërthamore të Iranit, udhëheqjes ushtarake dhe objektivave të tjerë javën e kaluar, duke e quajtur misionin "Ngritja e Luanit". Ushtria izraelite ka goditur më shumë se 1,100 objektiva në Iran, duke përfshirë tetë helikopterë sulmues iranianë në një bazë ushtarake dhe 40 komponentë të infrastrukturës raketore në Iranin perëndimor të martën.

Në Pentagon, zyrtarët thanë se administrata po shqyrtonte mundësitë për të kryer një sulm ndaj Iranit, por presidenti nuk ka dhënë një urdhër përfundimtar. Deri më tani, SHBA-të e kanë kufizuar rolin e tyre ushtarak në ndihmën ndaj Izraelit në mbrojtje kundër raketave dhe dronëve iranianë, thonë zyrtarët.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos