Përshkallëzon lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të rrisë tarifat ndaj automobilëve të shtetit fqinj, e po ashtu pjesëve të makinave, nga 25 deri në 50 përqind. Siç bëri të ditur kreu i Shtëpisë së Bardhë, masat e reja do të hyjnë në fuqi nga 1 janari.
“Për sa i përket tregtisë, por edhe në aspekte të tjera, Kanadaja është ndër vendet më të këqija në botë për të bërë marrëdhënie biznesi. Ata mendojnë se u takon gjithçka, por NE NUK KEMI NEVOJË PËR KANADANË — JANË ATA QË KANË NEVOJË PËR NE”, tha Trump, shkruan A2.
Njoftimi vjen pas dështimit të bisedimeve tregtare mes dy vendeve, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për parashtrimin e kërkesave të paarsyeshme në minutat e fundit. Pas deklaratës së Trump, autoritetet kanadeze paralajmëruan kundërpëgjigje ndaj luftës tregtare, teksa pritet të njoftojnë masa për të mbrojtur dhe mbështetur punonjësit dhe bizneset kanadeze në kohëra sfiduese, siç i quajtën.
Më herët gjatë ditës, kryeministri kanadez Mark Carney akuzoi Presidentin Donald Trump se po përpiqet të shkatërrojë industrinë automobilistike të Kanadasë. Ai tha se vendi i tij është gati t’i rikthehet bisedimeve vetëm nëse SHBA do të ketë sjelljen e duhur.
Bisedimet për një marrëveshje të re tregtare u ndërprenë të premten, pasi Kanadaja refuzoi kërkesat e fundit të SHBA-së, të cilat i cilësoi si të papranueshme.
Përshkallëzimi po shqetëson edhe bizneset në të dyja vendet dhe po rrezikon të ardhmen e marrëveshjes tregtare SHBA-Kanada-Meksikë, e cila mbështet rreth 1,6 trilionë dollarë tregti në Amerikën e Veriut. (A2 Televizion)