“Ku ta vrasim Barron Trump?” SHBA heton videon iraniane që kërcënon djalin e presidentit

Nga A2 CNN
25 Gusht 2026, 08:33 | Bota

“Ku ta vrasim Barron Trump?” SHBA heton videon iraniane që

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara ka bërë të ditur se po heton një video të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian IRIB, e cila përmban kërcënime ndaj Barron Trump, djalit më të vogël të presidentit Donald Trump.

Videoja, rreth tre minuta e gjatë, shfaq mesazhin në anglisht “Ku ta vrasim Barron Trump?” dhe përfshin pamje të vendeve ku ai frekuenton publikisht, përfshirë Trump Toëer në Nju Jork. Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Nate Herring, deklaroi për CNN se agjencia është në dijeni të videos dhe heton çdo material që mund të perceptohet si kërcënim ndaj personave nën mbrojtjen e saj.

“Shërbimi Sekret i SHBA-së është në dijeni të videos dhe heton çdo gjë që mund të perceptohet si kërcënim ndaj personave të mbrojtur. Për shkak të shqetësimit për sigurinë operacionale, ne nuk diskutojmë çështje të inteligjencës mbrojtëse”, tha zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Nate Herring.

Sipas CNN, videoja është pjesë e një serie materialesh propagandistike të lidhura me mediat iraniane, që kanë në shënjestër presidentin Trump dhe familjen e tij. Burime federale amerikane thanë se disa prej tyre përmbajnë detaje lëvizjesh dhe sugjerime për atentate ndaj anëtarëve të familjes presidenciale.

Sipas një burimi të sigurisë, masat mbrojtëse për familjen Trump rishikohen dhe përshtaten vazhdimisht në bazë të informacioneve të marra nga Shërbimi Sekret, agjenci të tjera amerikane, policia dhe partnerë ndërkombëtarë.

Vetë presidenti Trump ka folur publikisht për kërcënimet iraniane ndaj jetës së tij. Në korrik, gjatë samitit të NATO-s në Turqi, ai deklaroi: “Jam në çfarëdo liste që kanë. Deri tani kam qenë me fat, por ndoshta kjo nuk do të zgjasë shumë. Këta janë njerëz të këqij dhe të sëmurë.”

Kujtojmë se gjatë samitit të NATO-s në Turqi, Trump u largua fshehurazi me një avion ushtarak alternativ, pasi autoritetet amerikane kishin marrë informacione për një kërcënim konkret nga Irani. Sipas burimeve, bëhej fjalë për një raketë të lëshuar nga supi, aq serioze sa zyrtarët vlerësuan se jeta e presidentit do të ishte në rrezik të madh nëse ai do të udhëtonte me Air Force One.

Qeveria amerikane prej vitesh ka paralajmëruar për mundësinë e atentateve iraniane ndaj Donald Trump, që nga viti 2020, kur ai urdhëroi sulmin me dron që vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos