Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ndodhet në Moskë për një takim të papritur, sipas burimeve të mediave amerikane. Lajmi u bë publik pasi një avion ushtarak amerikan Boeing C-17A u pikas në aeroportin Vnukovo të Moskës. Pranë avionit u vu re edhe një kolonë me automjete diplomatike amerikane.
As Shtetet e Bashkuara dhe as Rusia nuk kanë konfirmuar zyrtarisht arsyen e vizitës apo personat me të cilët Ratcliffe po takohet. CIA dhe Kremlini kanë refuzuar të komentojnë për udhëtimin.
Kjo besohet të jetë vizita e parë e njohur e Ratcliffe në Rusi që prej marrjes së drejtimit të CIA-s dhe vizita e parë e një drejtori amerikan të inteligjencës në Moskë që nga udhëtimi i William Burns në vitin 2021.
CIA ka pasur rol në negociatat dhe shkëmbimet e të burgosurve mes SHBA-së dhe Rusisë, ndërsa Ratcliffe ka qenë i përfshirë në raste të tilla.
Vizita vjen në një moment kur bisedimet e paqes për Ukrainën, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, kanë ngecur, duke e bërë udhëtimin veçanërisht të rëndësishëm. Megjithatë, deri tani nuk dihet nëse takimet e Ratcliffe kanë lidhje drejtpërdrejt me negociatat për Ukrainën. (A2 Televizion)