A po ikin sërish rusët nga frika e mobilizimit ushtarak?

Nga A2 CNN
25 Gusht 2026, 09:28 | Bota

A po ikin sërish rusët nga frika e mobilizimit ushtarak?

Për dy vjet, Sergei Rasokhin jetoi i fshehur në Rusi për t’iu shmangur shërbimit ushtarak.

Së fundmi, ai arriti të largohej dhe të gjente strehim në Armeni.

Ky vend ishte një nga destinacionet kryesore të rusëve që u larguan më 2022 dhe 2023 për t’iu shmangur mobilizimit për luftën në Ukrainë.

Tash, mes frikës se Moska mund të shpallë një mobilizim të ri për të plotësuar radhët e ushtrisë së goditur nga lufta, ka shenja se numri i rusëve që po mbërrijnë në Armeni, po rritet sërish, përcjell A2.

Tendencë e ngjashme vërehet edhe në disa vende të tjera që pritën një fluks të madh rusësh më 2022 dhe 2023, ndonëse të dhënat janë ende të pjesshme dhe, në disa raste, kundërthënëse.

Por, nëse Kremlini vendos të shpallë një valë të re mobilizimi, ai mund të presë deri pas zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm.

Dhe kjo u lë ende kohë për t’u larguar nga vendi rusëve që duan t’i shmangen një mobilizimi të mundshëm.

Dy vjet në arrati

Rasokhin e rrëfeu historinë e tij për Shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë nga Jerevani, ku tashmë jeton një komunitet i madh rusësh që janë larguar nga vendi i tyre viteve të fundit, mes rritjes së represionit nën udhëheqjen e presidentit Vladimir Putin.

Ai thotë se jeta e tij ndryshoi tërësisht dy vjet më parë, kur, për shkak të problemeve financiare, nënshkroi vullnetarisht një kontratë për t’iu bashkuar ushtrisë ruse.

Atij iu tha se do të shërbente si automekanik, por shumë shpejt kuptoi se ishte mashtruar.

“Rreshteri qeshi me mua. Më tha: ‘Të kanë mashtruar. Ka 95 për qind gjasa që të të dërgojnë në vijën e frontit. Mos shpreso për diçka tjetër’”, rrëfen Rasokhin.

Ai thotë se u arratis nga njësia ushtarake dhe për dy vjet iu fsheh autoriteteve, duke ndërruar vendndodhje çdo disa muaj.

Në fund, megjithatë, u kap nga policia ushtarake.

Ai thotë se, në vend se të merrte armët dhe të shkonte në luftë, ishte më i gatshëm të përballej me gjyqin, edhe pse e dinte se dezertorët mund të dënohen deri me 15 vjet burg.

Ndërsa priste gjykimin, ai vendosi të arratisej drejt Bjellorusisë me tren.

“Më këshilluan ta blija biletën me para të gatshme, një orë para nisjes, në mënyrë që të mos kishin kohë t’i kontrollonin të dhënat. Kur isha te sporteli, erdhi një burrë me uniformë ushtarake dhe mori disa dokumente. Mësa kuptova, ishte lista e udhëtarëve që kishin blerë bileta. Unë ende nuk e kisha blerë timen, kështu që ndoshta kjo më shpëtoi”, rrëfen ai.

Rasokhin thotë se shpreson që historia e tij t’u tregojë rusëve të tjerë se ekzistojnë mënyra për t’u larguar nga vendi dhe për t’iu shmangur shërbimit ushtarak.

Çfarë tregojnë shifrat?

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i rusëve që hyjnë në Armeni është rritur sërish.

Pas shpalljes së mobilizimit në Rusi në shtator të vitit 2022, vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, mbi 500.000 rusë kanë hyrë në Armeni me viza turistike.

Në vitet që kanë pasuar, ky numër ka rënë, duke arritur në rreth 340.000 vitin e kaluar.

Por, nga janari deri në qershor të këtij viti, është shënuar sërish rritje: rreth 417.000 rusë kanë hyrë në Armeni.

Kjo në vetvete nuk vërteton ndonjë eksod, sepse njerëzit, veçanërisht turistët, vijnë e shkojnë.

Por, një tregues tjetër është se si krahasohen këto shifra.

Nga janari deri në maj të vitit 2026, numri i shtetasve rusë që mbërritën në Armeni ishte për 7.000 më i lartë se numri i atyre që u larguan.

Kjo shifër dallon nga statistikat e viteve të mëparshme dhe është mjaft e lartë, duke pasur parasysh se, sipas të dhënave zyrtare të dhjetorit të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i shtetasve rusë me leje qëndrimi në Armeni ishte 43.000.

Rritja e numrit të njerëzve që qëndrojnë në Armeni do të ushtronte presion mbi tregun e banesave dhe ka të dhëna jozyrtare që tregojnë se kjo po ndodh.

Në korrik, media e pavarur ruse, Vyorstka, citoi agjentë të patundshmërive në Jerevan, të cilët folën për një rritje të ndjeshme të kërkesës nga rusët.

Këtë e konfirmuan edhe agjentët e patundshmërive që folën për Shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë, ndonëse shumica nuk pranuan të citoheshin.

Një agjent, i cili pranoi të identifikohej vetëm me emrin Gevorg, tha:

“Bazuar në përshtypjen time dhe statistikat e mia lokale, çmimet janë rritur për rreth 30 për qind. Në rastin e qirave, rritja arrin deri në 50 për qind”.

Sipas tij, situata është “shumë e ngjashme me vitin 2022”.

Ndryshimi i kushteve në treg është veçanërisht interesant, pasi përmbys një trend të mëparshëm, të evidentuar në korrik nga një tjetër media e pavarur ruse, The Insider.

“Deri në vitin 2025, tregu i qirave ishte stabilizuar. Ekspertët vërejnë një rënie prej 30 për qind të çmimeve krahasuar me kulmin e arritur në fillim të luftës në shkallë të plotë”, shkroi The Insider.

Po në vendet e tjera?

Gjatë viteve 2022-2023, rusët u larguan edhe drejt vendeve të tjera.

Pamjet e xhiruara me dron tregonin, për shembull, kolona të gjata automjetesh në kufirin me Gjeorgjinë.

Më 18 gusht, të dhënat zyrtare ruse treguan se më shumë se 20.000 njerëz kishin kaluar brenda një dite përmes pikëkalimit kryesor kufitar drejt Gjeorgjisë.

Sipas autoriteteve ruse, një “dinamikë e ngjashme” ishte vërejtur për disa ditë radhazi.

Kjo “tejkalon ndjeshëm të dhënat për të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme”, thanë autoritetet ruse.

Por, autoritetet gjeorgjiane i hodhën poshtë këto pretendime.

Në një deklaratë më 19 gusht, ato thanë se rreth 7.900 persona kishin hyrë në Gjeorgji përmes kësaj pike kufitare gjatë 24 orëve, duke nisur nga ora 9:00 e 18 gushtit.

Kur Shërbimi gjeorgjian i Radios Evropa e Lirë vizitoi pikëkalimin kufitar më 20 gusht, nuk pa kolona të gjata automjetesh apo shenja të një largimi masiv të rusëve.

“E kam kaluar këtë kufi edhe në vitin 2022 dhe atëherë njerëzit prisnin me ditë. Sot, kur kaluam, në anën ruse kishte vetëm tri ose katër makina para nesh”, tha një grua e re ruse.

Ndërkohë, edhe nga Azia Qendrore ka raportime për persona me shtetësi të dyfishtë që po largohen nga Rusia, nga frika se, së shpejti, mund të shpallet një mobilizim i ri ushtarak.

Shërbimi kirgiz i Radios Evropa e Lirë foli me një grua, e cila kërkoi të mbetej anonime për arsye sigurie. Ajo kishte jetuar në Rusi për më shumë se 20 vjet dhe kishte marrë shtetësinë ruse për vete dhe fëmijët e saj.

“Kur dëgjova se mund të kishte një mobilizim masiv në vjeshtë, menjëherë mendova për djalin tim, i cili tashmë është në të njëzetat. Prandaj, u kthyem në vendin tonë”, tha ajo.

Një përfaqësues i diasporës kirgize në Rusi, i cili nuk mund të identifikohet për arsye sigurie, tha se rastet e tilla po shtohen.

“Kirgizët po largohen nga Rusia drejt vendeve të tjera, përfshirë Kirgizinë, për shkak të presioneve të ndryshme. Edhe në Kirgizi ka zhvillim dhe po krijohen vende pune, prandaj shumë prej tyre po kthehen atje”, tha ai.

“Së fundmi, një i njohur imi që ka shtetësi ruse po largohej për në Kirgizi. Në kufi e paralajmëruan se, ‘nëse nuk kthehesh, shtëpia dhe prona jote këtu do të konfiskohen’. Disa prej tyre, edhe pse kanë shtetësi ruse, thonë se nuk do të kthehen. I shesin shtëpitë dhe largohen”, shtoi ai.

Megjithatë, ka edhe persona me shtetësi të dyfishtë që zgjedhin të qëndrojnë në Rusi.

Mes tyre ka edhe të tillë që, gjatë mobilizimit të kaluar, nuk ishin pranuar për shërbimin ushtarak, për arsye shëndetësore ose arsye të tjera.

“Njerëzit e shohin situatën në mënyra të ndryshme. Ka nga ata që e kujtojnë mobilizimin e kaluar dhe janë të qetë. Thonë: ‘Edhe nëse të thërrasin, nuk do të të marrin në ushtri’”, tha përfaqësuesi i diasporës kirgize në Rusi./ REL  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos