
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Marina e SHBA-së ka hequr ose shkatërruar të gjitha minat në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve kryesore të transportit të energjisë në botë.
Në një postim në Truth Social, Trump paralajmëroi Iranin se çdo anije apo varkë që do të tentojë të vendosë mina të reja në ngushticë do të “shkatërrohet menjëherë dhe sistematikisht”.
Deri tani, Irani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të presidentit amerikan.
Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat kryesore të tensionit mes Uashingtonit dhe Teheranit. Mbyllja e saj ka shkaktuar luhatje në tregjet ndërkombëtare dhe rritje të pasigurisë për furnizimin me energji.
Para konfliktit, rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalonte përmes kësaj rruge ujore.
Deklarata e Trumpit vjen në një kohë kur SHBA ka shtuar presionin ndaj Iranit përmes sanksioneve të reja ekonomike, ndërsa negociatat për zgjidhjen e konfliktit dhe statusin e Ngushticës së Hormuzit nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje.
(A2 Televizion)