
Presidenti i Ukrainës kërkon ndihmë nga “fryma e shenjtë” për të mbrojtur tokën e vendit të tij. Volodymyr Zelenski u prit në Vatikan nga Papa Leon i Katërmbëdhjetë.
Në fokus të bisedës së tyre ishte mbrojtja e sovranitetit të Ukrainës, ndërsa Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion të madh për të pranuar një plan paqeje që përfshin dhe dorëzimin e tokës së pushtuar nga Rusia.
Zelenski më pas do të takojë edhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, ndërsa raportohet se lideri ukrainas do të paraqesë planin e tij për paqen. Ai është hartuar gjatë takimeve që Zelenski zhvilloi fillimisht në Londër me kryeministrin britanik, presidentin francez dhe liderin gjerman. Propozimi është konsultuar edhe me shefin e NATO-s në Bruksel dhe me liderë të tjerë europianë.
Duke folur gjatë fluturimit nga Brukseli për në Romë presidenti ukrainas tha se propozimet për paqe po finalizohen dhe do t'i dërgohen Shteteve të Bashkuara sot.
Udhëheqësi ukrainas shtoi se plani fillestar i paqes prej 28 pikash i Trump, i kritikuar për favorizimin e Rusisë, është reduktuar në 20 pika. “Pikat anti-ukrainase janë hequr”, tha Zelensky. (A2 Televizion)