Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po planifikon heqjen e masave ndaluese për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Këtë fakt e ka bërë të ditur Presidenti Amerikan, Donald Trump gjatë një prononcimi për mediat në bordin e Air Force One.
Masa vjen një ditë para se zyrtarët ukrainas të zbresin për bisedime në Arabinë Saudite. Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha të mërkurën se SHBA-ja kishte ndalur shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën, duke shtuar presion mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të bashkëpunuar me Trump në thirrjen e bisedimeve të paqes me Rusinë.
Pezullimi, i cili mund të kushtojë jetë duke dëmtuar aftësinë e Ukrainës për t'u mbrojtur kundër sulmeve raketore ruse, pasoi një ndalesë të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Kievin, transmeton A2 CNN.
“Ne po shikojmë shumë gjëra. Ne kemi takime të mëdha që vijnë, siç e dini, në Arabinë Saudite. Kjo do të përfshijë Rusinë. Do të jetë edhe Ukraina. Do të shohim nëse mund të bëjmë diçka. Shumë njerëz vdiqën këtë javë, siç e dini, në Ukrainë, jo vetëm ukrainas, por edhe rusë. Kështu që unë mendoj se të gjithë duan ta shohin të realizohet një marrëveshje. Ne do të bëjmë shumë përparim, besoj, këtë javë”, deklaroi Donald Trump.
Më tej Trump shtoi se, "Askush nuk i ka kartat. Ukraina nuk i ka kartat, Rusia nuk i ka kartat. Ajo që duhet bërë është të gjendet një marrëveshje dhe të ndalet vrasja. Kjo është një luftë e pakuptimtë dhe ne do ta ndalojmë atë", vuri në dukje Trump, përcjell A2 CNN.
Nga ana e saj, Ukraina do të përpiqet të bindë Shtetet e Bashkuara të rifillojnë ndihmën ushtarake bashkëpunimin për informacionet e inteligjencës në bisedimet dypalëshe në Arabinë Saudite. Kjo është ajo që raporton “Financial Times”, duke cituar zyrtarë të informuar mbi përgatitjet për negociatat në Arabinë Saudite, të cilët shpjeguan se Kievi do të ishte i gatshëm "të propozonte një armëpushim të pjesshëm" me Rusinë në veçanti në lidhje me sulmet me dronë dhe raketa me rreze të gjatë dhe operacionet luftarake në Detin e Zi. (A2 Televizion)