Prezantohet lagjja “luksoze” e Penianit, Kim Jong Un inspekton punimet

Nga A2 CNN
19 Mars 2025, 14:10 | Bota

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka marrë pjesë në inspektimin e përfundimit të punimeve për lagjen e re luksoze në kryeqytetin e vendit, Penian, shkruan A2 CNN.

Fotot e publikuara nga agjencia shtetërore KCNA tregojnë lagjen e re Hwasong, një projekt me 10 000 apartamente, që përfshin qiellgërvishtës të shumtë përgjatë një bulevardi të gjerë. Ky projekt është pjesë e një plani pesëvjeçar të nisur në vitin 2021, me synimin për të ndërtuar 50 000 apartamente të reja në Penian.

Megjithëse ndërtesat moderne japin një imazh të zhvillimit, jeta në ndërtesat e larta të Koresë së Veriut nuk është gjithmonë e lehtë. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike shpesh bëjnë që ashensorët të mos funksionojnë, duke e bërë të vështirë jetesën për banorët e kateve të sipërme. Për këtë arsye, të rinjtë zakonisht vendosen në katet më të larta, ndërsa të moshuarit në katet e poshtme.

Prezantohet lagjja “luksoze” e Penianit, Kim Jong Un inspekton

Në të gjithë vendin, mungesa e banesave mbetet një sfidë e madhe. Një studim i vitit 2021 trrgon se Koreja e Veriut ka shtëpi vetëm për 70-80% të familjeve. Shumë zona jashtë Penianit vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, kanalizimeve dhe energjisë elektrike.

Pavarësisht sfidave, lagjja Hwasong përfshin edhe objekte arsimore, tregtare dhe shërbimesh. Projekti është inspektuar nga vetë lideri Kim Jong Un, i cili thuhet se ka pasur një rol kyç në hartimin dhe ndërtimin e saj. Hapja zyrtare parashikohet të bëhet më 15 prill, në përkujtim të ditëlindjes së Kim Il Sung.

Megjithatë, ekspertët kanë ngritur shqetësime për cilësinë e ndërtimit, duke pasur parasysh shembjen tragjike të një ndërtese në Penian në vitin 2014. Ndërkohë, Kim ka premtuar edhe projekte të tjera ndërtimi për të modernizuar më tej kryeqytetin dhe pjesë të tjera të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos