Një raketë dhe tre dronë, të lëshuar në drejtim të një baze ushtarake në Isfahan. Kështu një zyrtar amerikan konfirmon për CNN se kjo është hakmarrja e Izraelit kundër Iranit, për sulmin me mbi 300 raketa dhe dronë të shtunën e kaluar.
Funksionarë të lartë në Teheran bëjnë me dije se këto kërcënime janë eliminuar me sukses dhe nuk flitet për dëme materiale apo njerëz të lënduar. Agjencia ndërkombëtare për energjinë atomike, konfirmon se nuk është regjistruar asnjë dëm në impiantet bërthamore aty pranë.
Komandanti i ushtrisë iraniane, Abdulrrahim Mousavi, i quajti absurde raportimet që Izraeli të ketë kryer sulmet në Isfahan, teksa foli vetëm për rrëzimin e disa mjeteve fluturuese dhe jo të ndonjë rakete.
Irani njofton se nuk do të kryejë veprime të shpejta hakmarrëse ndaj Tel Avivit, përpara se të sigurojë faktet e nevojshme për atë që po e konsideron “një incident”. Ka raportime që sulmet mund të jenë kryer nga brenda vendit. Në Izrael, heshtja është thyer vetëm nga Ben Gvir, ministër i Sigurisë në kabinetin e luftës, me një kritikë të lëshuar në drejtim të shtetit të tij.
“Shumë dobët”, ka shkruar në X, zyrtari i qeverisë Netanjahu, duke iu referuar asaj që po konsiderohet si reagimi i Tel Avivit ndaj sulmit masiv të Teheranit.
Shtetet e Bashkuara janë njoftuar përpara shënjestrimit të Iranit, konfirmon për CNN një burim pranë qeverisë amerikane. Por administrata Biden nuk ka mbështetur apo ndihmuar shtetin hebre në këtë reagim.
Mediat në Tel Avivi shkruajnë se Izraeli, zyrtarisht nuk do të marrë përsipër sulmin ndaj Iranit për arsye strategjike. Këto zhvillime vijnë në të njëjtën ditë me ditëlindjen e liderit suprem iranian, Ali Khamenei.
CNN raporton se me këtë sulm, inteligjenca rajonale në Lindjen e Mesme sugjeron se mund të konsiderohet e mbyllur vala e veprimeve hakmarrëse të drejtpërdrejta mes Iranit dhe Izraelit. (A2 Televizion)