Propozimi për armëpushim në Ukrainë, Kremlini: Putin e do paqen, por ende s’kemi marrë përgjigjet

Nga A2 CNN
7 Prill 2025, 17:46 | Bota

Presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të mbështesë idenë e një armëpushimi në Ukrainë, por Rusia nuk ka marrë përgjigje për pyetjet kyçe që ka lidhur me armëpushimin e propozuar nga administrata e Donald Trump.

Janë fjalët e Kremlinit, i cili gjatë ditëve të fundit ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës fqinje. Trump, i cili dëshiron të mbahet mend si paqebërës, vazhdimisht ka kërkuar fundin e konfliktit tre vjeçar në Ukrainë dhe ka paralajmëruar mbi rreziqet e përshkallëzimit të tij në një luftë botërore mes SHBA dhe Rusisë.

Putin tha se ishte i gatshëm të pranonte një propozim për paqen nga Uashingtoni, por duke theksuar se luftimet nuk mund të ndaleshin deri sa të sqaroheshin pikëpyetjet mbi një sërë kushtesh kryesore. Kremlini pohoi të hënën se këto pyetje kishin mbetur pa përgjigje.

“Presidenti Putin e mbështet idenë e një armëpushimi, por me parë një sërë pyetjesh duhet të marrin përgjigje. Këto pyetje mbeten ende pezull në ajër, dhe deri më tani askush nuk u ka dhënë atyre përgjigje”.

Putin ka thënë më herët se çdo marrëveshje paqeje duhet të adresojë atë që Moska e sheh si shkak të konfliktit; praktikisht përplasjen mes Rusisë dhe perëndimit lidhur me të ardhmen e Ukrainës, dhe zgjerimin post sovjetik të NATO-s drejt kufijve të Rusisë.

Sipas Putinit, armëpushimi duhet të sigurojë që Ukraina thjesht të mos e përdorë atë për tu rigrupuar, dhe pyetjet kryesore lidhur me certifikimin e armëpushimit duhet të sqarohen.

Të hënën, Kremlini fajësoi Kievin për mungesën e përgjigjeve, pasi siç tha, nuk kishte arritur të kontrollonte njësitë nacionaliste dhe ekstremiste.

Nga ana e tij, Zelenski i sheh si jorealiste kushtet e Putinit për armëpushim dhe akuzon liderin rus se dëshiron të vazhdojë luftën. Moska ka intensifikuar sulmet gjatë ditëve te fundit duke vrarë 20 persona në qyteti e Krivi Rih të premten, mes të cilëve 9 fëmijë.

3 ditë zie u shpallën në qytetin ku ka lindur Zelenksi, pas sulmit më vdekjeprurës të vitit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos