Jacob Chansley, i njohur si “QAnon Shaman” për shkak të kostumit me brirë që veshi gjatë sulmit në Kongresin amerikan më 6 janar 2021, ka ngritur një padi të pazakontë kundër Donald Trump, duke kërkuar dëmshpërblim prej 40 trilionë dollarësh.
Në një dokument 26-faqësh, i cili ngjan më shumë me një manifest sesa me një padi ligjore, Chansley pretendon se është “komandanti i vërtetë” i Shteteve të Bashkuara. Ai akuzon një “elitë botërore” për shkelje të Kushtetutës dhe kërkon që në Amerikë të zbatohen vetëm dy ligje: Amendamentet e të Drejtave të Njeriut (Bill of Rights) dhe Kushtetuta origjinale, përcjell A2 CNN.
Në padinë e tij, Chansley ka përfshirë një listë të gjatë institucionesh e individësh, përfshirë Donald Trump, Rezervën Federale, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA), Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, shtetin e Izraelit, kompaninë X të Elon Musk, T-Mobile dhe Warner Bros. Studios.
Një nga kërkesat më të çuditshme është prodhimi i një monedhe ari një onz (28,3 gramë), të vlerësuar në 40 trilionë dollarë, për të shlyer borxhin kombëtar. Po aq i pazakontë është edhe pretendimi se filmat “The Dark Knight” i Christopher Nolan dhe “Avatar” i James Cameron janë kopjuar nga shkrimet e tij.
Chansley shkon më tej, duke thënë se Agjencia Kombëtare e Agjencisë (NSA) e ka mashtruar me identitetin e aktores Michelle Rodriguez për ta bindur të përdorte “aftësitë e tij si shaman” në çështje jashtëtokësore. Ai madje pohon se Trump e kontaktoi personalisht me e-mail dy ditë pas trazirave.
I dënuar më parë për pengimin e një procedure zyrtare, Chansley u fal nga Trump në janar 2025, së bashku me rreth 1500 persona të tjerë. Fillimisht mbështetës i zjarrtë i Presidentit, ai më vonë u distancua pasi Trump refuzoi të publikonte të ashtuquajturën “dosjen Epstein”. (A2 Televizion)